Momente paniku kanë përjetuar nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës, mëngjesin e kësaj të mërkure.
Pasi kishte filluar ora e parë e mësimit, mësohet se një neon ndriçimi ka bërë masë dhe si pasojë ka shkaktuar përhapjen e disa flakëve duke bërë që tymi të mbulonte klasat.
Nxënësit dolën jashtë në oborr dhe prindërit të alarmuar pas sinjalizimit të situatës, mbërritën në shkollë për t’i marrë fëmijët drejt shtëpive.
Forcat zjarrfikëse bënë të mundur menjëherë neutralizimin e situatës, e cila fatmirësisht nuk ishte me përmasa të mëdha.
Pas ndërprerjes së mësimit, drejtuesit e shkollës kanë vendosur dhe pezullimin e procesit mësimor për ditën e sotme.