Rama ka bërë thirrje sërish sot për lirimin e tre policëve të Kosovës në Serbi. Duke folur nga konferenca e përbashkët për shtyp më homologun hungarez, Viktor Orbán, kryeministri tha se pavarësisht mënyrës nëse ata janë “arrestuar apo rrëmbyer”, duhet të lirohen urgjentisht pasi nuk kanë bërë asnjë krim.
Rama shtoi se vetë KFOR nuk do të dalë me konkluzione publike, por se dosja do t’i dërgohet NATO-s.
“E qartë që në të gjitha rastet, tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim. Edhe nëse e kanë shkelur vijën e kufirit, shkelja ka vetëm një përgjigje: kthimin e tyre në shtëpi. Ne jemi fokusuar që ta bëjmë këtë të mundur. Po përdorim çdo kanal që kjo të ndodhë sa më parë,” shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se zgjidhja në këtë rast është ajo e ofruar nga bashkësia euroatlantike. Rama theksoi se marrëveshja e paqes që u është vendosur të dyja palëve në tavolinë, është ajo që ka rëndësi teksa theksoi se kjo mundësi mund të mos jetë gjithnjë aty.
“Dokumenti i marrëveshjes është në tryeze, mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri. Për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, që njihet nga të gjithë, edhe nga Serbia. Këto, të tjerat janë produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi. Fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë. BE ia ka dhënë mundësinë e artë. Propozimi në tryezë, gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës”, tha Rama.