Kuvendi i Maqedonisë ka njoftuar se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen e tij, duke i hapur rrugë procesit për formimin e një qeverie teknike.
Përpara se të dorëzonte mandatin, Kovaçevski tha se ndante përvoja te ndryshme me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe se qeveria e re do të mbajë një orientim properëndimor dhe se do të kujdeset mirë për qytetarët.
“Talat Xhaferi ka përvojë në drejtimin e parlamentit, unë kam ardhur me një përvojë tjetër, në drejtimin e korporatave dhe ne kemi një stil tjetër si politikanë, por shteti me siguri do të mbajë të njëjtin drejtim, orientim properëndimor dhe synime strategjike, qeveria teknike do të kujdeset mirë për qytetarët. Kjo është diçka që e parashikon ligji dhe më 9 maj qeveria e re do të udhëhiqet nga unë dhe koalicioni që do ta çojë Maqedoninë në BE deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.
Ndërkohë kryeparlamentari Talat Xhaferi pritet të japë dorëheqjen e tij, duke filluar detyrën si kryeministër teknik për 100 ditë para zgjedhjeve të ardhshme.
Mësohet se do të zgjidhet edhe një deputet i ri për BDI-në dhe koordinatori i ri i LSDM-së, Jovan Mitreski, pritet të zgjidhet si kryetar i Parlamentit.
E gjithë qeveria duhet të japë dorëheqje sot, për të lejuar krijimin e një qeverie teknike para seancës parlamentare të premten.
Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.