Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, një ish-kryeministër paraqitet në Prokurorinë e Posaçme si i pandehur.
Ish-kryeministri dhe lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, u pyet sot në SPAK nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai si i pandehur, i akuzuar për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit Partizani,
Berisha qëndron prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar në “arrest shtëpie”, teksa sot u shoqërua nga efektivët e policisë deri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku jashtë saj u prit me ovacione nga disa deputetë të “Rithemelimit” dhe dhjetëra qytetarë.
Ish-kryeministri qëndroi në SPAK rreth 1 orë e 30 minuta, por sipas burimeve nga Prokuroria e Posaçme për Media Ditarin, marrja në pyetje e tij zgjati më pak se sa ishte parashikuar, për shkak të tensionimit të situatës mes tij dhe prokurorëve.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Berisha u ndal të flasë për mediat për më shumë se 20 minuta, duke treguar se çfarë kishte folur me prokurorët e posaçëm. Ai deklaroi se kishte gjetur në SPAK një atmosferë mortore, teksa tha se u kishte thënë prokurorëve se ishte paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të rrëzuar piramidën e tyre të mashtrimeve dhe grupin e tyre të strukturuar kriminal me Edi Ramën.
Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe prokurorëve që e morën në pyetje, ndërkohë që tha duke qeshur se në sallë nuk u mor vesh se cili drejtoi më shumë pyetje ai prokurorëve apo prokurorët atij.
“Pasi ju deklarova se Sali Berisha është këtu në përputhje me atë parim që ai vlerëson, se çdo njeri që thirret nga organet e drejtësisë, duhet të paraqitet për t’u marrë në pyetje dhe kjo ka qenë qëllimi kryesor i ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2012 që qeveria e PD bëri të mundur.
Kam ardhur këtu që t’ua them në sy të gjitha ato që prej 2 vitesh kam denoncuar Edi Ramën dhe ju si grup i strukturuar kriminal. Kam ardhur këtu iu thashë, të shemb piramidën e turpshme të mashtrimit që keni ndërtuar, me shpikje e falsifikime që nuk ka asgjë të vërtetë. Ka vetëm zbatim të porosive politike. Ju si grup i strukturuar kriminal jeni kundër pluralizmit politik në Shqipëri. Iu thashë se jam këtu për të shembur piramidën e tyre, për të denoncuar aktet anti-kushtetuese ku ju vendosët masat kundër Sali Berishës. Jam këtu thashë, për të denoncuar aktet tuaja anti ligjore dhe të turpshme, për t’i marrë pushtetin parlamentit. Jam këtu për të denoncuar aktin tuaj të shëmtuar, refuzimin e provave që s’mund të ndodhë kurrë në një vend, pasi provat e paraqitura nga avokatët e Jamarbër Mlltezit ishin shkatërrimtare për ata. Refuzuan provat që shembin piramidën e tyre të mashtrimit dhe ekspertizën e ekspertëve. Refuzuan dokumentet që faktojnë se kanë vepruar mbi bazën e urdhrit të Edi Ramës.
I pyeta, cili nga ju ka bashkëpunuar me McGonigal si grup i strukturuar me Edi Ramën. Janë këtu kriminelët që kanë bashkëpunuar. Gjeta aty një atmosferë mortore, shihnin të hutuar njëri tjetrin dhe s’dinin të përgjigjeshin. Kur përmenda Taulant Ballën, fytyrat u prishën komplet. U përgjigja të gjitha, po s’kishin pyetje ata, ishin denigrim që ata i bënin vetes, siç kanë bërë me dosjen.
Aty gjeta hijet e McGonigal dhe skandalet e tjera. Opozita po ecën e sigurt drejt një fitore të pashmangshme. Sali Berisha ka deklaruar dhe deklaron se do të paraqitet sa herë të thirret. Nuk kanë asnjë provë, kishte mashtrime, riciklime të mashtrimeve. Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Ata kanë fshehur me qindra dokumenta. Nuk u mor vesh kush drejtoi pyetje më shumë, ata mua apo unë atyre”, tha Berisha ndër të tjera për mediat.
Ish-kryeministri do të vijojë të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje sërish, deri në mbylljen e hetimeve për këtë çështje. AI ka kërkuar në Gjykatën e Apelit që t’i hiqet masa e sigurisë “arrest shtëpie”, me vendimin që pritet të merret në ditët në vijim.