Fshati më i vjetër i fortifikuar në histori, daton rreth 8 mijë vjet më parë. Ai u ndërtua në tajgën perëndimore të Siberisë, dhe tregon se në atë epokë ishte tashmë e nevojshme mbrojtja në mënyrë të organizuar nga agresioni i grupeve të tjera njerëzore. Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti i Lirë i Berlinit, i botuar nga ”Cambridge University Press”, krijon një vizion të ri mbi origjinën e luftës dhe formimin e shoqërive të para komplekse të Epokës së Neolitit. Rrjedhimisht, nga zbulimi i një fortifikate të ndërtuar në Siberi nga gjuetarët-mbledhës shumë shekuj përpara strukturave të ngjashme mbrojtëse të ndërtuara në Evropë nga komunitetet e fermerëve, daton edhe origjina e luftërave.
Me gërmimet e reja që kanë kryer atje, studiuesit gjermanë e kanë rivlerësuar vendbanimin e Amnia-s. Ata kanë gjetur një kompleks hendeqesh, argjinaturash dhe shtëpish të gërmuara nën tokë, duke gjetur gjithashtu edhe gjurmë fortikimesh mbrojtëse dhe një përdorim shumë të hershëm të qeramikës.
Struktura sociale
Rezultatet e punës së tyre, ngrenë pikëpyetje rreth kornizës kohore të pranuar deri më sot, sipas të cilit fenomeni i luftës e ka origjinën nga shoqëritë e para të ndara në shtresa, të lindura pas shfaqjes së bujqësisë, kur me mundësinë e grumbullimit të tepricave ushqimore, grupet shoqërore u liruan nga aktivitetet e tjera, siç ishte ndërtimi i veprave kolektive monumentale, praktika artizanale, shërbimet në objektet e kultit dhe detyrat administrative.
Por edhe ushtarake, pasi duhej të mbroheshin tepricat e prodhimeve dhe vetë territoret e kultivuara me kultura të ndryshme bujqësore. Në këtë kontekst, fortifikimi i fshatrave bujqësore ishte gjithashtu një pengesë, një shenjë e pagabueshme e pronësisë së një territori. Por pse gjuetarët siberianë shpikën fortifikime para ermerëve, duke prishur rindërtimet tradicionale të arkeologëve?
Format e veçanta të vendbanimeve
Në Siberinë Perëndimore ekziston një histori e gjatë e fortifikimeve të gjahtarëve-mbledhësve, e cila shtrihet nga Epoka e Gurit deri në pushtimin rus të rajonit në shekujt XVI-
XVII Pas Krishtit. Një rol vendimtar luajti mjedisi:midis maleve Urale dhe lumit Jenisei. Ekosistemi ka qenë gjithmonë shumë i pasur për gjuetarët-mbledhës-peshkatarë.
Peshqit, shpendët e ujit, shpendët e pemëve dhe gjahu i madh, si drerët, kanë sjellje të parashikueshme sezonale. Ky bollëk, mund të ketë ndikuar në rritjen e popullatës njerëzore, në transformimin e zakoneve tëe tyre, nga nomade në sedentare (qëndrimi i përhershëm në një vend të caktuar) dhe në diferencimin shoqëror, pasi u zhvilluan strategjitë e grumbullimit masiv, përpunimit dhe ruajtjes së këtyre burimeve.
Të sigurt nga sulmuesit
Ushqime të konservueshme ekzistonin pra që 8000 vjet më parë, në kohën e fshatit të fortifikuar Amnia. Vaj peshku dhe miell, peshk të tharë dhe të tymosur, zogj të tharë dhe mish të ngrirë, si dhe lëkura (mallra që përpunohen ende sot siberianët indigjenë). Pasi përgatiteshin dhe transformoheshin për të qenë të magazinueshme dhe të
transportueshme, këto burime parësore mund të ishin një objektiv për sulmuesit, “luftënxitësit” e parë të vërtetë në historinë e specieve tona.
Nga këtu lindi nevoja për mbrojtjen e tyre, si një trashëgimi e fshatit. Ndërtesat e fortifikuara, të vendosura zakonisht mbi një kodër, shërbenin gjithashtu për të përcaktuar territoret e ndryshme të gjuetisë-grumbullimit dhe peshkimit.
Shfaqet pabarazia sociale
Studiuesit zbuluan se në Amnia madhësia e shtëpive, tregonte ekzistencën që në atë kohë të diferencimit social brenda vetë komunitetit të banorëve. Gjatë rindërtimit të tyre, në fillim u shfaq zona e mbrojtur e rrethuar me shtylla dhe e rrethuar me një hendek. Pastaj ngrihej shtëpia më e madhe, e ndjekur nga dy më të vogla.
Asaj iu shtua një shtëpi e katërt e vendosur jashtë rrethimit. Në fazën e parë të vendbanimit (Amnia 1), u ndërtuan 10 banesa, në qendër të të cilave ndodheshin vatrat e zjarrit, një shenjë e qartë e një vendbanimi të përdorur gjatë gjithë vitit. Në verë, aktivitetet e përditshme zhvilloheshin në oborret e shtëpive.
Shtëpitë ishin të gërmuara nën tokë, me dyshemetë që gjenden rreth 2 metra në thellësi të tokës, të mbuluara me degë drurësh halorë. Ato kishin një planimetri drejtkëndëshe me përmasa nga 13 deri në 41 metra katrorë. Më e madhja zinte një pozicion të privilegjuar pikërisht në majë të kodrës ku ndodhej fshati i fortifikuar.
Prania brenda shtëpive e vazove primitive prej qeramike, sidomos ato të stolisura me pika të ndryshme, është një tregues i rëndësishëm i aftësisë për të ruajtur ushqimin, veçanërisht vajin e peshkut që përmban shumë kalori. Produktet e siguruara gjatë gjuetisë, peshkimit dhe grumbullimit (veçanërisht manaferrat dhe lisat) nuk konsumohej më menjëherë. Ato përpunoheshin për t’u shndërruar në furnizime ushqimore të transportueshme.
Zonat dhe fshatrat e shenjtë
Kjo risi, u pasua nga një arkitekturë e parë monumentale, e përbërë nga tuma artificiale me diametër 50 metra dhe me lartësi 6 metra, në disa nivele që përmbanin kafka njerëzore, mbetje kafshësh, figurina prej balte dhe bazamente vatrash. Këto tuma, të quajtura kholhm në gjuhën ruse, interpretohen nga arkeologët si zona funeralesh, rituale dhe sakrificash. Kronologjikisht, Amnia 1, që daton rreth 8 mijë vjet më parë, u pasua 2 mijë vjet më vonë nga Amnia 2, me ndërtimin e 10 shtëpive të tjera, 50 metra larg nga vendbanimi i parë dhe me struktura mbrojtëse përkatëse. Ishte vërtet një pikë kthese:Gjatë mijërave viteve evolucion, njeriu gjuetar dhe grumbullues nuk ishte shqetësuar kurrë (nëse përjashtojmë zonën e Gobleki-Tepe në Turqi) për krijimin e strukturave të përhershme dhe monumentale, dhe as për projektimin e ndërtimeve të fortifikuara, në pritje të sulmeve nga të huajt.
Origjina e konflikteve
Prandaj, Amnia na sugjeron se cila mund të ketë qenë arsyeja e parë e fillimit të luftës:kur gjuetari endacak mori atë që ishte e nevojshme nga mjedisi për ta konsumuar menjëherë, lufta nuk kishte arsye të ekzistonte, sepse nuk kishte as prona komunitare në fshat dhe as prona private. Por kur filloi grumbullimi masiv i burimeve në një territor të caktuar, dhe njeriu e fitoi aftësinë për të transformuar dhe ruajtur të korrat, lufta, si një formë e agresionit të organizuar për të marrë produktet e njerëzve të tjerë, u bë forma e “ekonomisë ekstreme”, që e njohim ende sot në format më moderne me të tmerrshme dhe më shkatërruese.
Te ngjashme
/ 20 orë Më Parë