Atentati me armë ndaj Zamir Kalemit, si po vijon saga e vrasjeve të Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës

Elton Qyno

Zamir Kalemi, vëllai i Andrea Kalemit që u sulmua në muajin Gusht, me armë në Greqi, i ka shpëtuar një atentati të mirë organizuar në Selitë të Tiranës.

Zamiri ishte duke ecur me makinë, kur papritur mjeti i tij është përshkuar nga një breshëri kallashnikovi, duke i sjellë plagosjen në njërën këmbë dhe në trup.

Ngjarja lidhet me një seri krimesh të tjera të nisura në qytetin e Sarandës dhe vijuar më pas në Greqi dhe deri në Tiranë, ku së fundi mbeti i vrarë Edmond Pepa.

Kalemi është djali i dajës së Aleksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë  gjatë një atentati me tritol në makinë, ngjarje kjo e ndodhur në rreth rrotullimin e TEG.

Autorët e krimit që sulmuan Zamir Kalemin janë kujdesur mirë, për survejimin e tij, dhe goditjen me armë.

Pas kësaj ata janë larguar në drejtim të Bërzhitës, ku dhe kanë djegur automjetin e përdorur në vrasje.

Mandej me një automjet tjetër, besohet se janë larguar në drejtim të Elbasanit.

Pista e parë e këtij atentati të dështuar është hakmarrja, pasi vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet i implikuar në vrasjen e Edmond Papës dhe vrasjen e dy personave në Belgjikë.

Shkak i lindjes së kësaj sage hakmarje, është bërë trafiku i drogës.

Adriatik (Andrea) Kalemi i ka mbijetuar disa atentateve të bëra ndaj tij në Greqi.

Në 25 Janar 2023 detaje të tjera u publikuan rreth dosjes hetimore të vrasjes së Edmond Papës në Selitë të Tiranës, ku veç të arrestuarit Albano Velo dhe Andreë Bode, një tjetër emër doli në skenën e hetimit si i dyshuar se mund të ketë gisht në këtë ngjarje.

Bëhet fjalë pikërisht për Adriatik alias Andrea Kalemi, i cili është djali i dajës së Aleksandër Sadikaj, i cili po lufton me jetën në spitalin e Janinës, pas atentatit të pasdites së djeshme.

Sipas analizës së bërë nga policia dhe prokuroria në janar të këtij viti rezultoi se Andrea Kalemi, ka lidhje të ngushta shoqërore me dy personat e arrestuar Albano Velo dhe Andreë Bode, ku së bashku kanë frekuentuar lokalet dhe udhëtuar jashtë shtetit.