Arben Ahmetaj humb sot mandatin e deputetit, SPAK ende në kërkim të “tigrit” të inceneratorëve

Arben Ahmetaj do të humbasë sot mandatin e deputetit, pasi prej 6 muajsh ndodhet në arrati dhe nuk është paraqitur në asnjë seancë plenare në Kuvend.

Për herë të fundit, Ahmetaj u paraqit në Kuvend në 6 Korrik, ndërsa fjalimi i tij i fundit ishte ai i 25 Majit, kur pasi propagandoi për rritjen e rrogave për qytetarët, votoi dyfishimin e rrogës së tij dhe kolegëve deputetë.

Më tej ai u arratis pasi Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e tij, pas kërkesës së SPAK në lidhje me disa akuza që rëndojnë ndaj tij, lidhur me inceneratorët.

Por kush pritet të marrë mandatin e tij?

Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore. Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Në rast se Bici do të refuzojë marrjen e mandatit, atëherë KQZ do të duhet të njoftojë kandidatin e radhës, Plarent Ndreca.

Ndaj Ahmetajt rëndojnë disa akuza se ajo e “mosdeklarimit të pasurisë”, “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Megjithatë në disa reagime që Ahmetaj ka bërë në rrjete sociale, i ka hedhur poshtë duke e konsideruar veten të pafajshëm.

Por si të mos mjaftone kjo, më 8 tetor 2023 Prokuroria e Posaçme ngriti një tjetër akuzë për “shpërdorim detyre”, ndaj Ahmetajt, për një tjetër çështje që lidhet me privatizimin e ish Fabrikës së Bukës në Tiranë.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar teksa ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i tij dhe përballja me drejtësinë.