Kryetari i Partisë Republikane serbe, Nikolla Sanduloviç, është arrestuar nga shërbimi sekret serb (BIA),pasi me 2 janar kishte postuar një video në rrjetet sociale të vizitës së tij në Prekaz, ku kishte kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë dhe ku theksonte se ishte i vetmi politikan serb që kishte bërë këtë gjë.
”Unë jam i vetmi politikan nga Serbia që kam ardhur për të nderuar viktimat e pafajshme shqiptare, familjen Jashari, në Prekaz. Kërkova falje dhe kërkova falje në emër të serbëve që nuk e bënë këtë”, shprehej Sanduloviç në video. Ka qenë avokati i tij , Çedomir Stojkoviç, i cili ka bërë të ditur lajmin e arrestimit.
Vetëm 1 ditë pas postimit të tij në rrjetin X ku shpreh ngushëllimet e tij për shqiptarët në Kosovë për eliminimin e 50 anëtarëve të familjes Jashari në vitin 1998, dhe vetëm 1 minutë pasi media e regjimit filloi një fushatë të orkestruar urrejtjeje kundër tij për shkak të atij postimi, fjali të thjeshta që shprehin ngushëllime”, ka shkruar avokati.
Sipas avokatit të tij ky postim është bërë edhe shkak i arrestimit. Mediat serbe thonë se nuk dihet se ku është dërguar politikani pas arrestimit dhe se policia dhe BIA nuk kanë pranuar t’i tregojnë gruas së tij. Ata gjithashtu refuzojnë t’ua japin këtë informacion avokatëve të tij.