“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Apelit t’i kthejë objektet personale gazetarit Elton Qyno

“Reporterët pa kufij”, një nga organizatat më prestigjioze në botë për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes së tyre, i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që t’i kthejë pajisjet personale gazetarit Elton Qyno, në seancën që do të mbahet nesër.

Pajisjet kompjuterike dhe ato celulare të gazetarit vijojnë të jenë nën sekuestron e Prokurorisë së Posaçme që prej 13 dhjetorit të vitit të kaluar. Ai ka kërkuar nga GJKKO e Apelit heqjen e sekuestros.

Organizata “Reporterët pa kufij” që lufton për lirinë dhe të drejtat e gazetarëve në të gjithë botën, i ka konsideruar veprimet e SPAK, si kërcënim të fshehtësisë së burimeve të gazetarit.

Në reagimin përmes platformës “X”, “Reporterët pa Kufij” shkruan si më poshtë vijon:

“…Shqipëri: Sekuestrimi i aparaturave të gazetarit Elton Qyno nga prokurorët antikorrupsion pas raportimit të tij për krimin e organizuar, kërcënon fshehtësinë e burimeve konfidenciale.

“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit, e vendosur në 5 janar, të urdhërojë kthimin e pajisjeve të gazetarit…”.