Rama quan arritje zhvlerësimin e euros: Sot 400 mijë lekë janë 400 euro, kjo është shpresë për të jetuar në këtë vend

Zhvlerësimi i euros po i “rrënon” xhepat e shqiptarëve, sidomos të atyre shtresave që nuk ia dalin dot dhe mbahen nga remitancat ose atyre që punojnë për të eksportuar, por për kryeministrin shqiptar kjo është një arritje.

Në një ceremoni të mbajtur sot për politikat e mbështetjes së familjeve, Rama përmendi forcimin e pazakontë të lekut dhe zhvlerësimin e euros dhe tha se kjo vjen pasi është rritur besimi tek ekonomia e vendit. Rama tha se sot kush merr 400 mijë lekë, merr 400 euro, duke e cilësuar këtë si një shpresë të madhe për të jetuar në këtë vend.

“Shqipëria nuk ka asgjë tjetër përpara përveçse të shkojë më lart, më lart, më lart. Sepse Shqipëria ka dalë nga rrethi vicioz dhe nga një hap para-dy hapa mbrapa. Dhe mjafton të shikoni lekun. Shikoni lekun sot se të tjerat mund të merren me dyshim, se disa thonë kështu disa ashtu. Shikoni lekun. Lekun nuk e forcojnë as fjalimet e mia, as vendimet e qeverisë, as planet e partisë. Lekun e forcon ekonomia, vetvetiu. Dhe sot kush merr një pagë minimale që është dyfishi i pagës minimale që ne gjetëm, nuk merr 400 mijë lek, merr 400 euro. Dhe nuk ishte 400 euro, 400 mijë lekëshi para shumë pak kohësh. Të gjitha këto janë arsye për të pasur besim dhe shpresë edhe më të madhe në të jetuarit në këtë vend.”