Mbledhja e Këshillit të Mandateve ku do të vendoset heqja ose jo e imunitetit të Sali Berishës është shoqëruar edhe me replika mes avokatëve të ish-kryeministrit dhe deputetëve të këtij Këshilli.
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i pyeti avokatët e Berishës nëse ata i kishin kërkuar ndonjëherë personit që përfaqësonin që të hiqte dorë nga mandati i deputetit vullnetarisht, teksa e menjëhershme ka qenë përgjigja e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili është shprehur se ata janë përfaqësuesit ligjorë dhe jo këshilltarët politikë.
Alibeaj: Lëvizja më e mirë politike do të ishte ajo e daljes publikisht dhe lënies me vullnet të mandatit. Nuk po iu këshilloj as juve dhe përfaqësuesve politikë se çfarë sjellje do të mbajë. Ka një kod sjelljeje ky Parlament që do të thotë se deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti. Kjo do të ishte një këshillë që ndoshta ia kishit dhënë.
Mëngjesi: Ne jemi kontraktuar nga Berisha si profesionist dhe nuk jemi këshilltar politik. Për hir të së vërtetës, jo vetëm nuk jemi përfaqësues politik por edhe nuk kuptojmë mirë nga politika. Qëndrimet i ka mbajtur vetë zoti Berisha dhe do të keni mundësi ta pyesni në seancë.
Gjokutaj: Që të pretendosh se zoti Berisha ka përfituar në këtë rast, aspak! Ai është trajtuar në kundërshtim me ligjin si i tillë. Berisha nuk ka qenë i favorizuar këto kohë qoftë me vulën, me siglën. Kjo është tentativa e fundit. Kjo është një e vërtetë e madhe. Nuk është se është braktisur procesi si i tillë por në momentin kur praktikat janë të tilla, nuk përfillet Parlamentit, Gjykata Kushtetuese dhe bëhet sikur dëgjohet.
Nikolla: Jeni profesionist dhe vini e bëni këtu politikë.
Gjokutaj: Këtu nuk mund të jemi në gjykatë. Lëre të nxjerrë dufin thotë populli. Çmimin e fjalët e keni ngritur shumë. Keni ardhur në emër të kryeministrit këtu dhe s’doni të na lini të flasim?!
Nikolla: Dufin shfryni në një vend tjetër.