“Sot duhej t’i hiqej imuniteti Ramës”, Këlliçi në protestë: Po goditet opozita, jo Berisha si individ

Ka nisur protesta e paralajmëruar nga PD para Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë që Këshilli i Mandateve po shqyrton kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.

I pari ka marrë fjalën Belind Këlliçi i cili i  ka bërë thirrje për SPAK që të zbatojë ligjin ndërsa tha se mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Berishës, është “një mbledhje turpi”.

Duke iu referuar denoncimeve të ditëve të fundit lidhur me inceneratorin e Tiranës, Këlliçi thotë se drejtësia e re ka marrë porosi për të goditur opozitën dhe jo qeverinë.

“Unë sot jam në këtë protestë si një njeri, pasi kemi mbi një javë që çdo ditë denoncojmë me deklarata publike dhe fakte të pamohueshme se vjedhja më e madhe që po ndodh në Tiranë dhe Shqipëri nuk po hetohet.

Sot, institucionet e drejtësisë kanë marrë porosi për të goditur opozitën,  jo Berisha si individ. Ai është kryetari i opozitës reale të vendit. Sot po goditeni ju! Ndaj u bëj një thirrje të rinjve, qytetarëve të Tiranës, dilni në këtë shesh se po luftohet edhe për ju, që të mos instalohet një diktatura që u rrëzua vite më parë.Edhe sot shumë mund të kenë frikë, por mjafton kjo protestë e sotme.

I bëj thirrje SPAK ut ose do zbatoni ligjin, ose do mbani përgjegjësi para ligjit.

Sot afera më e madhe nuk mund të mbulohet”, tha Këlliçi.