Euro pranë barazimit me Lekun njëlloj si në verë. Monedha europiane vazhdon të zhvlerësohet përballë lekut, ndërsa ditën e sotme 1 euro këmbehet me 101.3 lekë. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro-Lek që prej fillimit të gushtit.
Rënia e Euros ka tërhequr në rënie të gjitha valutat e tjera kryesore që kuotohen në tregun shqiptar.
Në tre javët e fundit sidomos kjo rënie është ndjerë edhe më shumë pasi vazhdimisht ka patur zhvlerësim. Nuk dihet se çfarë po e sjell kaq shumë euron në treg, pasi në verë kjo i atribuohej ardhjes së madhe të turistëve dhe emigrantëve.
Mirëpo tani ende jemi larg festave të fundvitit kur euro ulet edhe më shumë.
Pritshmëritë ishin që në muajt e fundit të vitit qeveria të rriste ritmin e shpenzimeve, duke injektuar më shumë Lekë në ekonomi. Mendohej se ky mund të ishte një faktor që mund të sillte një zhvlerësim të përkohshëm të Lekut, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, kursi i Euros po i drejtohet sërish niveleve më të ulëta historike, që u regjistruan në korrik të këtij viti.
