Prokuroria e Tiranës një ditë më parë pushoi çështjen e vdekjes së Lear Kurtit, i cili sipas akt-ekspertimit, ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës teksa ishte arrestuar nga policia.
Sipas Prokurorisë, nuk ka patur asnjë shkelje nga ana e efektivëve të policisë që kanë bërë shoqërimin e tij, por 32 vjeçari humbi jetën për shkak se gëlltiti qesen me kokainë.
Ndërkohë, nëna e të riut akuzon efektivët e policisë se nuk i kanë dhënë ndihmën e parë, por e kanë çuar në spital të vdekur. Ajo thotë se i biri kishte edhe një shenjë në brinjë, që dukej si goditje me shkelm.
Sipas saj, Leari ka dhënë shpirt në duart e policëve, të cilët i bën përgjegjës për vdekjen e djalit.
“Duhej ta çonin në spital, pastaj të bënte policia punën e saj. Këtu kanë bërë shkelje. Në momentin që e kanë kapur, nuk di gjë dhe kamera nuk diskutohet dhe çdo gjë pastrohet, por Leari ka dhënë jetë në duart e tyre. Dhe në spital e kanë sjellë të vdekur dhe i vunë kot një vigon fallco. Leari ka dhënë jetë në duart e tyre, të policisë. Te Leari është dhe një shenjë të brinja, nuk e di, a me shkelm apo… unë shpresoj shumë të Gjykata. Çfarë të them unë e shkreta, ajo që u bë u bë, por nuk ka siguri këtu. Se si puna e djalit tim mund t’i vijë radha tjetrit, që nuk ia uroj askujt. Po të kishin vepruar siç duhet sot Leari do ishte o me mua ose çfarë do bënte shteti. unë shkoj dy herë në javë te varri i djalit dhe i lutem Zotit të na takojë bashkë. T’i kishin dhënë ndihmën e shpejtë, se e kishin afër spitalin”, rrëfeu ajo mes lotësh në News 24.