Nesër në Vlorë i pranishëm edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës do të bëjë homazhe për Dëshmorët e Kombit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë nesër në Vlorë, me rastin e 111 vjetorit të ngritjes së flamurit të pavarësisë.

Ai ka konfirmuar se do të jetë që sot në Shqipëri për të ndjekur një shfaqje në teatër, teksa nesër do të jetë në Vlorë për të kryer homazhe në nderim të Dëshmorëve të Kombit. Në Vlorë nesër do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, por deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë takim mes të dyve.

I pyetur nëse do të ketë mbledhje të përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kurti tha se në të ardhmen do të ketë.

“Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatëse. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, u shpreh ai.