Napoleoni dhe Zhozefina: Marrëdhënia dhe martesa problematike 13-vjeçare midis perandorit dhe perandoreshës së Francës

Në shumë aspekte, martesa e Napoleon dhe Zhozefina Bonapartit në vitet 1796-1809, pasqyroi kohën e trazuar në të cilën ata u bënë perandori dhe perandoresha e Francës. Më shumë se 200 vjet më vonë, ngjitja e tyre e papritur në pushtet gjatë fundit të shekullit XVIII, është subjekt i filmit biografik të shumëpritur “Napoleoni” të regjisorit të mirënjohur amerikan Ridli Skot.

Në filmin, i cili prej 22 nëntorit po transmetohet në kinematë e mbarë botës, aktori i njohur Hoakin Feniks luan rolin e Napoleonit, ndërsa aktorja Vanesa Kirbi atë të Zhozefinës, gruas së tij të parë.

Më shumë se 3 dekada para se të njihej dhe merrte mbiemrin e famshëm nga Napoleoni, Zhozefina lindi si Maria Dë La Pazheri më 23 qershor 1763, në një plantacion në Martinikë (ishulli lindor i Karaibeve, sot një territori zyrtar francez jashtë pjesës kontinentale).

Ajo ishte vajza më e madhe e Zhofez Dë Tashe, një kultivues i kallamave të sheqerit dhe Roza Dë Sanua. Sipas librit të Ernest Nepton të vitit 1963 “Perandoresha Zhozefinë”, perandoresha e ardhshme jetonte në plantacionin e familjes së saj kur një stuhi e fortë në vitin 1766 e shkatërroi shtëpinë e tyre duke vrarë 440 njerëz.

Kur ishte 10 vjeçe, prindërit e dërguan për t’u arsimuar në një manastir në kryeqytetin e ishullit Fort-de-France. Ata nuk ishin të shqetësuar për pasurimin e vajzës së tyre, por donin ta bënin atë një partnere të përshtatshme për t’u martuar në një familje të pasur. Në dhjetorin e vitit 1779, ai plan u realizua kur babai Zhozefi, e shoqëroi të bijën Zhozefinën tashmë 16-vjeçare në Francë për martesën e saj me Aleksandër Dë Boharna.

Çifti jetonte në periferi të Parisit dhe pati 2 fëmijë:djalin Eugjen në vitin 1781, dhe vajzën Hortenca në vitin 1783. Megjithatë, marrëdhënia e tyre u përkeqësua me shpejtësi dhe ata u ndanë në vitin 1785. Zhozefina e çoi vajzën e saj në shtëpinë prindërore në Martinikë, ndërsa Aleksandri mori kujdestarinë e Eugjenit.

Zhozefina u rikthye në Francë me Hortencën në vitin 1790 pas fillimit të Revolucionit Francez, dhe revoltës së skllevërve afrikanë që shpërtheu në Martinikë. Atje, ajo u rilidh me Aleksandrin, pasi ata nuk ishin divorcuar zyrtarisht. Në atë kohë, ai ishte bërë një politikan i suksesshëm dhe në vitin 1791 udhëhiqte Asamblenë Kushtetuese, përpara se të merrte një pozicion të lartë drejtues në ushtrinë franceze.

Tre vjet më vonë, ai dhe Zhozefina u arrestuan në mesin e mbretërimit të terrorit nga ana e Jakobinëve. Ai u ekzekutua me prerje koke në gijotinë, ndërsa edhe Zhozefina priste në burg të njëjtin fat. Por jeta iu fal pas rrëzimit nga pushteti dhe ekzekutimit me vdekje të figurës kryesore të Jakobinëve, Maksimilian Dë Robespier.

E mbetur pa asnjë të ardhur dhe me 2 fëmijë për t’u kujdesur, Zhozefina u njoh dhe miqësua me Tereza Kabarrus. Kjo e fundit, e prezantoi Zhozefinën gjatë një feste në vitin 1795 me një gjeneral të ri dhe shumë ambicioz të quajtur Napoleon Bonapart. Ai u marros pas saj dhe në janarin e vitit 1796 i kërkoi dorën për martesë.

Por Zhozefina nuk ishte e bindur për t’u lidhur në martesë me të dashurin e saj të ri. Ajo u thoshte mikeshave të saj se ai  ishte “i heshtur dhe i ngathët me gratë” dhe “gjithçka në personalitetin e tij ishte krejtësisht e çuditshme”. Megjithatë, ajo peshoi avantazhet sociale dhe financiare që mund t’i siguronte prestigji gjithnjë e në rritje i Napoleonit, ndaj në fund ra dakord me propozimin e tij.

Ata u martuan përmes një ceremonie civile më 9 mars 1796. Por muaji i mjaltit duhej të priste. Sepse 2 ditë më vonë, Napoleoni u nis për fushatën e tij të parë ushtarake në Itali. Megjithëse Zhozefina përfitoi financiarisht nga sukseset e të shoqit në fushën e betejës, ndarjet e tyre të gjata në kohë, shkaktuan një tensione të fortë në marrëdhënien midis tyre.

Si ajo ashtu edhe Napoleoni patën disa lidhje jashtëmartesore. Madje deri në vitin 1810 Napoleoni pati të paktën 2 fëmijë jashtë martese. Nga ana tjetër, Zhozefina nisi të shpenzonte pa fre, duke e tërbuar Napoleonin. Ajo organizonte festa luksoze në Pallatin Tylëri, dhe ndërtoi një gardërobë me rrobat më të bukura të kohës.

Në vitin 1799, ajo bleu shtëpinë e tyre në Malmaison pranë Parisit, dhe e transformoi atë me kopshte të bukura me trëndafila dhe me kafshë ekzotike si kangurët dhe strucat. Ndonëse Napoleoni zihej shpesh me Zhozefinën për faturat e shtrenjta, sharmi i saj dhe imazhi  publik e qetësuan ushtarakun e njohur.

“Unë fitoj betejat, por Zhozefina fiton zemrat!”- tha në një rast Napoleoni. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe mosmarrëveshjeve të tyre, është e qartë se Napoleoni kujdesej shumë për Zhozefinën. Ai ankohej për mungesën e korrespondencës së tyre në letrat që i vinin në fushën e betejës.

“Unë nuk mund të pi as edhe një filxhan çaj, pa e sharë lavdinë dhe ambicien që më mban larg shpirtit që i jep kuptim jetës time”- shkroi ai në një rast. Ndërkohë Napoleoni u përpoq të bashkonte familjet Bonapart dhe Boharna, duke birësuar Eugjenin dhe duke e lejuar vëllain e tij Lui që të martohej me njerkën e tij, Hortencën.

Gjatë ceremonisë së kororëzimit të tij si perandor në vitin 1804, Napoleoni këmbënguli që të ishte ai që t’ia vinte kurorën gruas së tij perandoreshë. Ajo ishte një shfaqje publike e mbështetjes në mesin e presionit në rritje nga të afërmit e tij për t’u divorcuar nga Zhozefina. Pakënaqësia e familjes Bonapart, buronte kryesisht nga paaftësia e Zhozefinës për t’u dhënë atyre një trashëgimtar. Duke ditur se kjo mund të çonte në fundin e martesës së tyre, ajo e ndjeu shumë këtë barrë. E dëshpëruar dhe me sugjerimin e mjekut personal të Napoleonit, Zhofezina shkoi në vitin 1798 në qytetin termal Plombier në Belgjikë. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe kunata e saj, që mbeti shtatzënë me një vajzë pas 6 vitesh infertilitet.

Por pavarësisht vizitave të shumta, Zhozefina nuk ia doli të kishte fëmijë me Napoleonin. Pasi u kurorëzua perandor në vitin 1804, ky i fundit u bë më i paduruar me infertilitetin e saj. Në nëntorin e vitit 1809, ai informoi gruan e tij se donte të ndahej prej saj. Zhozefina ra dakord pa shumë dëshirë, dhe martesa e tyre u zgjidh zyrtarisht disa javë më vonë, më 15 dhjetor.

Pavarësisht divorcit, Napoleoni premtoi të mbronte të ardhmen e Jozefinës. “Unë dua që ajo të mbajë gradën dhe titullin e perandoreshës. Po ashtu nuk dua që të dyshojë në ndjenjat e mia për të, dhe dua që ajo të më konsiderojë gjithmonë si mikun e saj më të mirë dhe më të dashur”- tha ai.

Zhozefina u vendos përgjithmonë me banim në Malmaison, duke rikonstruktuar shtëpinë, duke u kujdesur për kopshtet dhe zgjeruar koleksionin e saj të veprave të artit. Ndërkaq, Napoleoni, tashmë rreth 40 vjeç, nisi menjëherë të kërkonte një grua të re. Kandidatja e tij ideale ishte Ana Pavlovna, motra 15-vjeçare e Carit rus Aleksandër I.

Por pasi propozimi i tij u prit me vonesa dhe justifikime, ai zgjodhi për grua kryedukeshën Maria-Luiza të Austrisë, kryesisht për motive politike. Pavarësisht frikës dhe kundërshtimeve fillestare të 19-vjeçares – ajo shkroi në ditarin e saj se edhe vetëm të shihje Napoleonin do të ishte “forma më e keqe e torturës” – u martua gjithsesi me të në një ceremoni civile në prillin e vitit 1810.

Brenda një viti, Maria-Luiza lindi një trashëgimtar të fronit, Napoleonin II, i cili mori titullin Mbreti i Romës. Prapëseprapë, Napoleoni e mbajti premtimin ndaj Zhozefinës, duke vazhduar t’i shkruante letra, dhe ndonjëherë shkonte ta takonte pa e paralajmëruar, gjë që ngjallte xhelozi te gruaja e tij e re.

Nga shtëpia e saj në Malmaison, Zhozefina pa fundin e sundimit të ish-bashkëshortit të saj, kur Rusia dhe aleatët e saj e pushtuan Francën në vitin 1814. Por nuk jetoi për të parë shumë nga pasojat negative të atij zhvillimi, sepse vdiq nga pneumonia në moshën 51-vjeçare më 29 maj 1914.

Keit Uilliams citon në librin e saj “Ambicie dhe dëshirë:Jeta e rrezikshme e Zhozefina Bonapartit” , dëshminë e shërbëtores personale të ish-perandoreshës, që besonte se ajo “vdiq nga pikëllimi” për rënien e Napoleonit nga pushteti. Ky i fundit u rikthye për pak kohë  në pushtet në vitin 1815, por u internua – këtë herë nga britanikët – në ishullin e largët të Shën Helenës pas humbjes së rëndë që pësoi ushtria e tij në Vaterlo.

Atje rrethohej nga tablotë e shumta të Zhozefinës, madje hante me pjatat e dizenjuara nga brenda me imazhin e saj. Me sa duket, ai mendoi për të deri në momentet e tij të fundit, duke shqiptuar emrin e saj si fjalën e fundit që tha përpara vdekjes më 5 maj 1821.