Po mbahen sot në Shkodër homazhet për mjeshtrin e madh të artit Zef Deda, i cili humbi jetën ditën e djeshme në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë që e mundonte prej një viti.
Miq, familjarë, kolegë e të afërm kanë marrë pjesë në homazhet që po mbahen në Teatrin “Migjeni”
Zef Deda ishte një nga komedianët më të njohur shqiptar, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.
“Me dhimbje të thellë, ju njoftoj për ndarjen nga jeta të babait tim, Zef Deda. Homazhet do bëhen në hollin e Teatrit “Migjeni”, që ishte edhe shtëpia e tij e dytë, duke filluar nga ora 09:00. Pas homazheve, në orën 13:00, kortezhi niset për meshën e dritës, më pas përcjellja për në banesën e fundit, në varrezat e Rrmajit”, shkroi një ditë më parë djali i tij Julian Deda.
I njohur për rolet e tij, kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për plastikën e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar që mund të imitonte magjinë e Charlie Chaplin, Zef Deda do të mbetet në memorien e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe
Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. U shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe ndoqi politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Filloi shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës.
Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkelqyër psiko-fizike ai arrine të realizojë qindra figura artistike. Prandaj ishte mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran. Pas një shkeputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me sukses.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interprertuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”.