Shtyhet disa orë seanca në Apelin e Posaçëm për ankimimin e Sali Berishës për masat e sigurisë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka njoftuar shtyrjen me disa orë të seancës së Sali Berishës, pasi ish-kryeministri ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalimin e daljes nga vendi.

Vendimi do të merret nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi dhe seanca do të fillojë në orën 14:00. Dy ditë më parë, gjyqtarja Olldashi lehtësoi masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, të cilin e nxori nga burgu, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Njoftimi:

Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 24.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 17.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 442, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konstatimin e humbjes së fuqisë së masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 14:00.