Çfarë po ndodh? Tjetër rast dhune në kopsht, edukatorja në Elbasan keqtrajton fëmijën me autizëm

Një tjetër rast dhune në kopshte është regjistruar ditën e sotme, këtë herë në Elbasan. Mësohet se një edukatore nga Elbasani ka keqtrajtuar një fëmijë me autizëm.

Policia ka njoftuar se edukatorja 57 vjeçare është proceduar penalisht, ndërkohë që po kryhen hetimet për të zbardhur ngjarjen e plotë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O. B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopësht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit”, njofton policia.

Vetëm pak ditë më parë, edukatorja Majlinda Dehima dhunoi një vajzë 3 vjeçe në kopshtin “Stinët” në Tiranë. Si pasojë e dhunës, të miturës iu thye këmba, ndërkohë që edukatorja u arrestua pak ditë më vonë, ndërkohë që rezultoi se kopshti ishte i palicencuar.

Dhuna në kopshte ngriti alarmin në institucione, teksa policia filloi kontrollet në të gjithë vendin në kopshte dhe çerdhe. Nga 201 kontrolle, 81 kopshte rezultuan pa licencë dhe u mbyllën , teksa u proceduan pronarët e tyre.