Vodhën kasafortën me para brenda xhamisë në Burrel, kapen dy autorët 12 vjeçarë

Dy të mitur janë shoqëruar në policinë e Matit pasi është zbuluar se kanë vjedhur një objekt kulti (xhami) në qytetin e Burrelit.

Për shkak të moshës ata u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Policia u gjeti edhe kasafortën së bashku me paratë që vodhën në xhami.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së informacionit se ishte vjedhur me thyerje një objekt kulti (xhami), në qytetin e Burrelit, dhe autorët kishin marrë kasafortën me një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dy të miturit, në bashkëpunim me njëri tjetrin gjatë orëve të natës kanë vjedhur me thyerje objektin e kultit dhe kanë marrë kasafortën metalike e cila brenda saj kishte një shumë të konsiderueshme parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.