Qukës – Qafë Plloçë, aksi me kosto të dyfishuar që nuk përfundoi kurrë

Ka 14 vite kantier ndërtimi dhe shumë premtime për përfundimin e punimeve, por aksi Qukës – Qafë Plloçë nuk dihet ende se kur do të përfundojë.

Projekti ka tejkaluar afatet e parashikuara për përfundimin e tij pasi duhet të përfundonte në vitin 2018, ndërkohë që qeveria e shtyu përfundimin dhe premtoi se do të ishte gati një vit më vonë, por edhe sot ky aks nuk ka mbaruar ende.

Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është se kostoja e projektit është rritur me 105 milionë dollar nga kontratat fillestare, teksa deri në përfundim të projektit kosto totale do të shkojë në 255 milionë dollar. Ndëkrohë. Edhe pse janë harxhuar 5.6 milionë dollarë për konsulencë, rruga ka mbetur rrugëve dhe është kthyer në një gropë financiare për shqiptarët.

Sipas auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë projekt, mosrealizimi i punimeve në afatin e përcaktuar në kontratë, solli efekte negative financiare me vlerë 687 mijë USD, dëm ekonomik me vlerë 43,380 USD për pagesa të shpenzimeve për mirëmbajtje të mjeteve motorike, si dhe 134,379 USD për volume punimesh të pakryera por të situacionuara dhe likuiduara.

Ky aks rrugor po ndërtohet në një zonë malore ku lartësia maksimale e një segmenti arrin në 1200 m mbi nivelin e detit, gjë e cila rrit ndjeshëm mundësin e ngricave, dëborës dhe akullit, duke shtuar ndjeshëm dhe kostot e mirëmbajtjes në të ardhmen.