Protesta/ 2000 efektivë në terren, ngrihen postblloqe në kryqëzime dhe në hyrje-daljet e vendit

Kryeqyteti është blinduar me forca policore në prag të protestës kombëtare të 28 Nëntorit.

Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren për protestën ku pritet një pjesëmarrje e madhe qytetarësh nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Efektivët po ushtrojnë kontrolle ndaj automjeteve që hyjnë në kryeqytet. Disa qytetarë kanë denoncuar kontrolle nga ana e policisë, duke pretenduar se u janë kontrolluar automjetet dhe sendet personale, ndonëse, sipas tyre, kishin me vete vetëm flamuj kuqezi.

Ndërkohë, pranë godinës së Kryeministrisë janë pozicionuar autobotë me ujë, ndërsa forca të posaçme policore janë dislokuar pranë selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Brendshme dhe në zonën e Bllokut të Ministrive.

Ndërkohë në sheshin “Sënderbej” janë grumbulluar qytetarët, të cilët më pas pritet të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë.