Lulzim Basha padit Taulant Ballën, kërkon tërheqjen e deklaratës për Agron Shehajn

Lulzim Basha ka depozituar një padi civile ndaj Taulant Ballës në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Shkak është bërë një deklaratë e kreut të grupit parlamentar të PS-së nga foltorja e Kuvendit, lidhur me pretendimin se Agron Shehaj kishte paguar për të siguruar një vend në listën e kandidatëve për deputetë.

Basha e cilëson këtë deklaratë si të pavërtetë dhe shpifëse, duke pretenduar se ajo dëmton reputacionin dhe dinjitetin e tij. Për këtë arsye, përmes padisë ai kërkon që Balla të tërheqë publikisht deklaratën dhe të bëjë një përgënjeshtrim në mediat kombëtare, duke përballuar vetë kostot e publikimit.

Në argumentet e tij ligjore, Basha nënvizon se liria e shprehjes dhe debati politik nuk mund të shërbejnë si justifikim për përhapjen e pretendimeve faktike të pavërteta, të cilat mund të cenojnë figurën dhe reputacionin e një individi.

Kjo çështje rikthen në vëmendje edhe nismën e ndërmarrë nga Basha në vitin 2023 për ndryshimin e legjislacionit dhe ashpërsimin e masave ndaj shpifjes kur ajo kryhet nga persona të zgjedhur, përfshirë deputetët.

Në atë kohë, Basha kishte mbrojtur qëndrimin se funksionarët politikë nuk duhet të gëzojnë imunitet apo trajtim të privilegjuar përballë përgjegjësisë ligjore dhe se mandati i deputetit nuk mund të përdoret si mburojë për deklarata shpifëse.