Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon pavlefshmërinë e akteve procedurale të SPAK

Erion Veliaj ka ndërmarrë një tjetër hap në betejën e tij ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë që lidhet me hetimet e zhvilluara ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Përmes kësaj padie, Veliaj kërkon që të shpallen të pavlefshme dhe të papërdorshme aktet procedurale të kryera nga SPAK gjatë fazës së hetimeve paraprake.

Në thelb të kërkesës qëndrojnë kundërshtimet e tij mbi mënyrën se si janë kryer veprimet hetimore, të cilat, sipas pretendimeve të paraqitura, nuk kanë respektuar garancitë kushtetuese dhe procedurale që duhet të shoqërojnë një proces penal.

Veliaj kërkon që këto akte të mos kenë asnjë efekt juridik dhe të mos përdoren si prova në procesin penal që po zhvillohet ndaj tij.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën dhe të vlerësojë nëse pretendimet e ngritura për shkelje të të drejtave dhe garancive kushtetuese kanë bazë ligjore.