Italia ka miratuar një reformë të debatueshme në sistemin arsimor, e cila parashikon ndalimin e mbulimit të fytyrës në shkolla dhe vendosjen e një kufiri prej 30% për nxënësit me origjinë të huaj në klasat e vitit të parë. Masat kanë shkaktuar reagime të forta nga partitë opozitare, të cilat i kanë cilësuar ato diskriminuese.
Kufiri prej 30% nuk do të zbatohet për nxënësit që kanë arritur një nivel të mjaftueshëm të njohjes së gjuhës italiane. Ndërkohë, ndalimi i mbulimit të fytyrës do të pengojë nxënëset myslimane të mbajnë burka dhe nikab gjatë orëve të mësimit.
Legjislacioni i ri parashikon gjithashtu kurse të gjuhës italiane për prindërit e huaj.
Dhoma e Deputetëve dha miratimin përfundimtar për dekretin e ri të arsimit, me 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime. Projektligji ishte miratuar më parë nga Senati, më 20 nëntor.
Votimi u shoqërua me protesta nga deputetët e opozitës, të cilët shfaqën në sallën e parlamentit pankarta me mbishkrimin: “Në shkollë askush nuk është i huaj”.
Opozita akuzon qeverinë për diskriminim
Partitë opozitare kritikuan ashpër kufizimet e reja, duke argumentuar se qeveria po shmang problemet reale të sistemit arsimor italian.
“Problemi nuk është sa fëmijë të huaj ka në një klasë, por sa mësues kemi dhe çfarë mjetesh u ofrojmë për t’i garantuar të gjithëve të drejtën për të mësuar. Gjithçka tjetër është diskriminim dhe racizëm”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S), Antonio Caso.
Ai shtoi se qeveria duhet të përqendrohet te siguria e ndërtesave shkollore, pagat e ulëta të mësuesve dhe garantimi i së drejtës për arsimim.
Edhe Irene Manzi, përgjegjëse kombëtare për arsimin në Partinë Demokratike dhe drejtuese e grupit të saj në Komisionin e Arsimit, kundërshtoi masat e reja.
“Sipas këtij dekreti, vajzat dhe djemtë ndahen brenda klasave dhe transferohen nga një shkollë në tjetrën nëse tejkalohet kufiri prej 30%, duke shpërfillur historitë e tyre, kontekstin ku jetojnë dhe mjedisin ku rriten. Ata trajtohen si pako”, deklaroi Manzi.
Ajo kritikoi gjithashtu sanksionet ndaj prindërve dhe raportimet nga institucionet arsimore, duke argumentuar se këto masa dëmtojnë besimin mes familjeve dhe komunitetit shkollor.
Nga ana tjetër, shumica qeverisëse shprehu kënaqësinë për miratimin përfundimtar të ligjit.
“Votimi i sotëm është gjithashtu një dëshmi e rëndësishme e unitetit të shumicës rreth qeverisë sonë dhe reformave të saj”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara.
Përplasjet për librat digjitalë
Përveç kufizimeve për nxënësit e huaj, një tjetër çështje që shkaktoi përplasje mes shumicës dhe opozitës ishte dispozita për librat elektronikë në shkolla dhe universitete.
Sipas ligjit të ri, botuesit e teksteve shkollore dhe universitare do të detyrohen të ofrojnë versione digjitale të librave me një çmim sa 50% e versioneve të shtypura.
Masa synon ta bëjë më të lehtë aksesin në materialet mësimore dhe të ulë barrën financiare për familjet.
Megjithatë, Shoqata Italiane e Botuesve (AIE) kundërshtoi ashpër këtë dispozitë, duke argumentuar se ajo nuk sjell përfitime reale ekonomike për familjet dhe se vendos mbi botuesit një barrë që duhet të përballohet nga shteti.
Shoqata paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që masa mund të sjellë për të drejtat e autorit, qëndrueshmërinë ekonomike të kompanive botuese dhe vendet e punës.
Edhe brenda koalicionit qeverisës pati mospajtime. Forza Italia kundërshtoi dispozitën për librat elektronikë, ndërsa Fratelli d’Italia e mbështeti atë. Megjithatë, në votimin përfundimtar shumica u rreshtua në mbështetje të dekretit.
Çfarë ndryshon tjetër në sistemin arsimor?
Ligji i ri parashikon gjithashtu ndryshime në procesin e rekrutimit të mësuesve, përfshirë emërimet e përhershme, si dhe modifikime në programet e specializimit për mësuesit mbështetës.
Gjithashtu, përditësohen afatet dhe procedurat për hartimin e Planeve Individuale të Arsimit, ndërsa parashikohet financim shtesë për personelin administrativ, teknik dhe ndihmës, si dhe për fondin që synon përmirësimin e ofertës arsimore.