Elisa Spiropali përjashtohet nga grupi parlamentar i PS

Elisa Spiropali është përjashtuar nga grupi parlamenti i Partisë Socialiste. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit këtë të martë, pas kritikave që Spiropali ka bërë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe akuzave të drejtpërdrejta ndaj Belinda Ballukut.

Mësohet se gjatë votimit ku Spiropali nuk ka qenë e pranishme, Erion Braçe dhe Bledi Çuçi kanë abstenuar. Më herët, Spiropali ishte përjashtuar nga çdo forum drejtuesi i Partisë Socialiste.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Elisa Spiropali akuzoi Belinda Ballukun se përmes njerëzve të saj në institucionet shtetërore, ka ushtruar presione duke iu referuar kontrolleve pak muaj më parë në bizneset e bashkëshortit të saj.

Ndërkohë ajo kritikoi Ramën dhe mënyrën e funksionimit të PS, madje disa javë më parë i kërkoi atij dorëheqjen, pas protestave studentore.

Në një letër të hapur drejtuar Rames, të publikuar në rrjete sociale, deputetja socialiste i bënte thirrje kreut të qeverisë që të dalë përballë qytetarëve dhe të mos fshihet pas shumicës, institucioneve, apo numrit të mandateve.

Me përjashtimin e Spiropalit, grupi parlamentar i PS mbetet me 81 deputetë. Socialistët fituan 83 vende në zgjedhjet e 11 majit 2025, por disa muaj më parë deputetja Marjana Koçeku, u largua nga grupi. Ndërkohë, pas perjashtimit të Spiropalit, te majtet kanë 81 mandate.