Ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit edhe Jakup Hasani, 47-vjeçari i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Fier, ku u ekzekutua xhaxhai i tij, Selami Hasani.
47-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, pasi kishte marrë tre plumba në trup, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pas së cilës ai u vendos në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fillimisht u raportua se 47-vjeçari kishte dalë nga rreziku për jetën, por gjendja e tij u përkeqësua dhe ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës në lagjen “1 Maji” në Fier , në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”. Persona të armatosur hapën zjarr ndaj tij dhe nipit të tij, të cilët ndodheshin në oborrin e vilës. Si pasojë e të shtënave ndërroi jetë Selami Hasani, ndërsa nipi i tij Jakup Hasani mbeti i plagosur rëndë, duke humbur jetën gjatë natës në spital.
Dyshohet se shkak për vrasjen të jetë bërë hasmëria e vjetër që kanë me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si Beni i Qimes ose si “i forti i Fierit”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Fier, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe u plagos shtetasi J. H., 47 vjeç, bëjmë me dije se shtetasi J. H, ka ndërruar jetë gjatë natës në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon intensivisht veprimet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.