Vendimi i Christine Lagarde për t’u larguar më herët nga drejtimi i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) ka nxitur spekulimet për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Ish-ministrja franceze e Ekonomisë dhe ish-drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar shihet si një figurë që mund të bashkojë kampin e qendrës dhe të djathtën e moderuar, të cilat aktualisht janë të përçara. Megjithatë, Lagarde nuk ka konfirmuar kandidimin, ndërsa në një intervistë të mëparshme është shprehur se një angazhim i tillë nuk do të ishte ide e mirë.
Një sondazh i publikuar nga Politico më 11 nëntor e rendiste atë me 13.5% të preferencave, pothuajse në të njëjtin nivel me ish-kryeministrin Édouard Philippe, i cili rezultonte me 14%. Ndërkohë, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon kryesojnë matjet e opinionit me përkatësisht rreth 32-34% dhe 17-19.5%.
Analistët vlerësojnë se Lagarde mund të tërheqë votuesit e arsimuar dhe me të ardhura të larta, por profili i saj si drejtuese e institucioneve ndërkombëtare mund të krijojë edhe perceptimin e një teknokrateje të shkëputur nga realiteti i qytetarëve.
Mandati i saj në krye të BQE-së përfundon në shkurt 2027, vetëm dy muaj para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Deri atëherë, ajo duhet të ruajë neutralitetin politik.
Ndërkohë, borxhi publik, kriza fiskale, masat shtrënguese dhe pakënaqësia sociale pritet të jenë ndër temat kryesore të fushatës. Qëndrimet e Lagarde për integrimin evropian dhe disiplinën fiskale janë të njohura, por ajo ende nuk ka prezantuar një program politik.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse largimi i saj nga BQE do të shënojë fillimin e një karriere politike në Francë apo do ta çojë drejt një angazhimi tjetër në institucionet ndërkombëtare.