Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ushtruar një kontroll të befasishëm në qelinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pak minuta pasi ai publikoi një letër drejtuar Belinda Ballukut, në cilësinë e drejtueses politike të Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit.
Sipas informacioneve, gjatë kontrollit në qelinë e Veliajt nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.
Ndërkohë që siç bën me dije avokati i tij, Plarent Ndreca, kryebashkiaku iu ka thënë se: “Lapsin, letrën dhe sensin e humorit nuk ma merrni dot”.
Kujtojmë se në letrën e tij, Veliaj shkruante se prej një muaji ndodhet me këmbën e thyer dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale.
Ai thotë se kërkesat e përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, “kanë rënë në vesh të shurdhër”, duke kërkuar ndërhyrjen e Ballukut.