Spiropali shpërthen ndaj Ballukut: Njerëzit e saj po i bëjnë presion familjes sime, ka emëruar ministrin dhe drejtorin e Tatimeve

Elisa Spiropali ka vendosur t’i shpallë luftë të hapur Belinda Ballukut dhe kryeministrit Rama, edhe pse për këtë të fundit kritikat janë vetëm për mënyrën se si drejton Partinë Socialiste.

Spiropali ka akuzuar hapur Ballukun se me anë të njerëzve të saj në institucionet shtetërore, ka ushtruar presione ndaj njerëzve të saj, duke iu referuar kontrolleve pak muaj më parë në bizneset e bashkëshortit të saj.

Sipas Spiropalit, drejtori i Tatimeve dhe ministri janë emëruar me urdhër të saj, duke nënkuptuar se Balluku ka fuqi të detyrojë Ramën të emërojë të besuarit e saj në poste kyçe.

“Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t’i bërë presion deri edhe ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë? Kush u shkon? 

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili është i emëruari personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj, apo qeveria e cila është brenda kësaj gjykatëse. 

Dhe unë thirrjen e kam këtu për Edi Ramën dhe jam shumë e drejtpërdrejtë, është kryeministri i vendit. I kemi besuar me votë, i kemi besuar me të gjitha energjitë tona, kemi vënë fytyrën tonë, Partia Socialiste e gjitha, se nuk ka lidhje këtu Partia Socialiste me çështje të qeverisjes së një klani të vogël. Dhe këtu është çështje parimore. 

Në rastin e saj apo rastin e individëve të tjerë që janë në çështje të drejtësisë, pse vijnë në dyert e SPAK-ut edhe në dyert e gjykatave do zgjidhen çështjet e tyre apo me përgjegjësi politike brenda forcës? Kush e mban? 

Dhe unë s’e kam me të, po unë e kam me faktin që sot, për shembull, kemi ne port në Durrës, le të themi. Pse mungon? Pse mungon porti aty? Pse u vendos, për shembull, me një telefon edhe me një mesazh që nga port do bëhej apartamente, për shembull? 

Dhe është çështja e personalizimit ekstrem të pushtetit që e sjell këtë lloj pasoje. Apo rruga apo aeroporti, i cili jemi sot duke e diskutuar, është në dyert e SPAK-ut dhe të gjykatave çështja e aeroportit. 

Nuk meriton Shqipëria që të ketë, nuk meriton sot Shqipëria që të ketë një proces vendimmarrje, i cili nuk bazohet te as te katet personale, as te llastimi, as te pushteti i njëri-tjetrit,” tha Spiropali.