Italia gjobit Meta-n me 805 milionë euro për shkelje të privatësisë së përdoruesve

Autoritetet italiane kanë gjobitur kompaninë Meta, pronare e Facebook-ut, me 805 milionë euro për përdorimin e fotografive dhe videove nga telefonat Android pa marrë pëlqimin e qartë dhe specifik të përdoruesve.

Lajmi u bë i ditur nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili njoftoi se gjoba lidhet me funksionin “Camera Roll Suggestions”, që sugjeron fotografi dhe video nga galeria e telefonit, në mënyrë që përdoruesit t’i përfshijnë ato në postimet e tyre në Facebook.

Sipas autoritetit italian, ky funksion shkel legjislacionin vendas që zbaton direktivën e Bashkimit Evropian për privatësinë në komunikimet elektronike (ePrivacy). Kjo është gjoba më e madhe e vendosur ndonjëherë nga rregullatori italian.

Hetimi, i nisur në vitin 2025, zbuloi se aplikacioni kërkon vetëm një autorizim të përgjithshëm për të pasur qasje në galerinë e fotografive të përdoruesit. Ky autorizim mbulon disa funksione të ndryshme, ndërsa njoftimi që shfaqet përpara kërkesës nuk i informon qartë përdoruesit se po lejojnë edhe sugjerimin e fotografive dhe videove nga galeria e tyre.

“Kur jepet në tërësi, ky lloj autorizimi i lejon aplikacionit të lexojë të gjithë arkivin e fotografive në pajisje, zakonisht në mënyrë të përhershme, pa mundësinë që përdoruesi apo autoritetet të verifikojnë se cilat të dhëna po përdoren realisht”, thuhet në deklaratën e autoritetit.

Institucioni italian bëri të ditur gjithashtu se ka refuzuar pretendimin e Meta-s për mungesë juridiksioni, sipas të cilit çështja duhej të trajtohej nga autoritetet irlandeze. Sipas rregullatorit, legjislacioni ePrivacy nuk parashikon mekanizmin e njohur si “one-stop-shop”, që do t’ia kalonte kompetencën një autoriteti të vetëm kombëtar.

Meta-s i janë dhënë 60 ditë kohë për të marrë pëlqimin e përdoruesve në mënyrë të veçantë dhe të qartë për këtë funksion, si dhe për të shpjeguar se si funksionon dhe si mund të çaktivizohet. Autoriteti ka kërkuar gjithashtu që funksioni të jetë i çaktivizuar si parazgjedhje, përfshirë edhe për përdoruesit që e kanë autorizuar më parë.

Meta nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës për koment. Kompania ka të drejtë ta apelojë vendimin.