PS votoi kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, por Rama thotë se nuk e mbrojti ish-zv.kryeministren

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Asamblesë së PS se nuk e mbrojti Belinda Ballukun nga përballja me drejtësinë.

Edhe pse PS votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetiet, që do ti hapte rrugë arrestimit të saj, sipas Ramës kjo nuk ishte pengesë për prokurorinë që të vazhdonte hetimet.

Sipas Ramës, ai dhe PS nuk bëjnë avokatin e askujt.

“U ngrit një furi se si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta ime, që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara, dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën.

Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë. Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. Kemi punuar më shumë se një vit, apo gati dy vjet, me paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës, kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë”, tha Rama.