Paqe për Ukrainën, por me kushtet e Moskës: Putini kërkon një Evropë tjetër

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se dëshiron «paqe të përjetshme» për Ukrainën.

Por këtë e thotë i njëjti president rus që urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të vendit fqinj, gati pesë vjet më parë, dhe që vazhdon të refuzojë idenë e një armëpushimi gjithëpërfshirës.

Po çfarë kushti paraprak vendos Moska për arritjen e paqes?

Kremlini e bëri të qartë pas bisedimeve me të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner: «Një arkitekturë e re, afatgjatë dhe e pandashme e sigurisë dhe paqes».

E përkthyer nga gjuha diplomatike e Kremlinit, kjo do të thotë se Moska kërkon të ndryshojë konfigurimin e sigurisë në Evropë në një mënyrë që i shërben interesave të Rusisë.

Ajo që kërkon Rusia mund të përbëjë ndryshimin më të madh të marrëveshjeve të sigurisë evropiane që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Kremlini ka rikthyer në tryezë propozimin e tij të diskutueshëm të dhjetorit 2021, të njohur si «projekttraktatet» me SHBA-në dhe NATO-n. Këto marrëveshje jo vetëm që do të frenonin zgjerimin e mëtejshëm të aleancës drejt lindjes, duke i dhënë Moskës garanci të forta se vende si Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të lejoheshin kurrë të anëtarësoheshin, por do të kërkonin edhe tërheqjen e infrastrukturës ushtarake të NATO-s nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që iu bashkuan aleancës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Udhëheqësit perëndimorë i hodhën poshtë këto kërkesa, duke i cilësuar si një ultimatum të papranueshëm rus. Dy muaj më vonë, Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

«Projekttraktatet» u lanë mënjanë. Tani janë nxjerrë sërish nga arkivi gjeopolitik dhe po citohen përsëri nga Kremlini.

Madje, Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, ka lënë të kuptohet se Moska është gati të «shtojë disa konsiderata të reja» në listën e kërkesave të saj, në dritën e përpjekjeve perëndimore «për t’i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike».

Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se qeveritë perëndimore do t’i pranojnë këto kërkesa.

Megjithatë, fakti që çështja e sigurisë evropiane po përfshihet tashmë në diskutimet për Ukrainën shihet në Moskë si një fitore për Rusinë.

«Në dhjetor të vitit 2021, Rusia i propozoi në mënyrë aktive NATO-s të rishikonte sistemin e sigurisë në Evropë», shkruante gazeta Komsomolskaya Pravda në fillim të kësaj jave.

«Propozimet tona pothuajse u përqeshën.

Tani, pasi kemi arritur një fitore duke e detyruar Perëndimin të mendojë për sigurinë, diplomatët tanë duhet të arrijnë një fitore të dytë: ta bëjnë Perëndimin të marrë seriozisht shqetësimet e Rusisë lidhur me zgjerimin e NATO-s».

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i ka cilësuar kërkesat ruse për një arkitekturë të re sigurie në Evropë si një «kurth», të projektuar për të «larguar vëmendjen nga armëpushimi».

«Rendi i zhvillimit të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë është i rëndësishëm», shkroi Kallas në rrjetet sociale. «Prioritet duhet të jetë sigurimi i një armëpushimi, i ndjekur nga një marrëveshje paqeje. Vetëm më pas mund të zhvillohen diskutime për arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Evropë».

Problemi i Evropës është se, për momentin, ajo nuk është pjesë e tryezës së negociatave.

Moska nuk ka treguar asnjë dëshirë për t’i rezervuar asaj një vend. Kremlini ka kritikuar vazhdimisht udhëheqësit evropianë për mbështetjen ushtarake ndaj Kievit dhe qëndrimin e tyre të ashpër ndaj Rusisë.

Bisedimet e paqes të kësaj jave në Abu Dhabi përfshinë Ukrainën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Pas takimeve në Moskë, Witkoff la të kuptohej se Putini kishte rënë dakord me idenë e përfshirjes së përfaqësuesve evropianë në raundin e ardhshëm të bisedimeve për paqen në Ukrainë.

Megjithatë, të premten, Kremlini bëri të ditur se ende nuk ishte marrë një vendim përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen e Evropës.

«Pasi të kuptojmë synimet e tyre të vërteta dhe gatishmërinë për të lehtësuar procesin e paqes, atëherë do të jetë e mundur të merret një vendim për zhvillimin e dialogut për Ukrainën në një format më të gjerë», deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Po vetë Putini?

Gjatë bisedimeve me Witkoff dhe Kushner, ai u shfaq i palëkundur në qëndrimin e tij dhe plot besim.

Dhe ka arsye për ta kuptuar këtë qëndrim.

Amerikanët po trokasin në derën e tij dhe kërkojnë një marrëveshje, ndërsa evropianët po shqyrtojnë mundësinë e rifillimit të kontakteve me të. Muajin e kaluar, udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës iu drejtuan drejtpërdrejt Putinit dhe zhvilluan kontakte me të.

Ndërkohë, javën e ardhshme, në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), Putini mund të zhvillojë një takim të veçantë me Donald Trumpin dhe Xi Jinpingun.

Mediat ruse kanë nisur t’i krahasojnë ata me «Treshen e Madhe» – Stalinin, Rooseveltin dhe Churchillin – të cilët u takuan në vitin 1945 për të riorganizuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.

E megjithatë, pas gati pesë vitesh luftë, Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës.

Ekonomia ruse po përballet me presion gjithnjë e më të madh.

Sulmet me dronë ukrainas vazhdojnë të godasin rafineritë ruse të naftës, duke shtuar frikën për mungesa të reja të karburantit.

Por, deri më tani, asnjëra prej këtyre vështirësive nuk e ka bindur udhëheqësin e Kremlinit t’i japë fund luftës.