Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka paralajmëruar pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë për një rrezik të mundshëm të shtuar të një sëmundjeje të rrallë të syrit, e lidhur me përdorimin e medikamenteve GLP-1, që përdoren për humbje peshe dhe trajtimin e diabetit.
Të hënën, FDA njoftoi se ka kërkuar që medikamente të njohura si Mounjaro dhe Zepbound të kompanisë Eli Lilly, si dhe Ozempic dhe Wegovy të Novo Nordisk, të përfshijnë paralajmërime të reja në etiketat e tyre.
Bëhet fjalë për një gjendje të quajtur neuropati optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION), e cila mund të shkaktojë humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit. Në disa raste, dëmtimi mund të jetë i përhershëm.
Kjo gjendje shkaktohet nga pakësimi i qarkullimit të gjakut në pjesën e përparme të nervit optik, megjithëse shkaku i saktë i saj nuk është kuptuar plotësisht.
Një zëdhënës i kompanisë Eli Lilly deklaroi se paralajmërimi i FDA-së vlen për të gjitha medikamentet që veprojnë përmes mekanizmit GLP-1 dhe nuk lidhet me ndonjë gjetje specifike për produktet e kompanisë. Sipas tij, kompania po e vlerëson me kujdes këtë përditësim.
Edhe kompania Novo Nordisk reagoi duke theksuar se të dhënat aktuale nuk provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes përdorimit të këtyre medikamenteve dhe sëmundjes së syrit. Kompania tha se vijon të ketë besim te raporti mes përfitimeve dhe rreziqeve të barnave të saj.
FDA bëri të ditur se vlerësimi i saj është bazuar në të dhëna nga studimet klinike, testimet te kafshët dhe raportimet pas daljes së barnave në treg, përfshirë studimet vëzhguese dhe rastet e raportuara.
Çfarë tregojnë studimet për rrezikun?
Vitin e kaluar, komiteti i sigurisë i Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) deklaroi se NAION mund të prekë deri në 1 në 10 mijë persona që përdorin për të paktën një vit semaglutidin, përbërësi aktiv i Ozempic dhe Wegovy, si dhe i ilaçit tjetër kundër diabetit, Rybelsus.
Ky ishte rasti i parë kur një autoritet rregullator konfirmoi këtë efekt anësor të mundshëm.
Ndërkohë, në Danimarkë, katër pacientë që përjetuan humbje të shikimit pas përdorimit të medikamenteve GLP-1 të Novo Nordisk përfituan kompensim financiar.
Një studim i gjerë i publikuar në vitin 2025, i cili përfshiu rreth 175 mijë pacientë me diabet të trajtuar me semaglutid dhe po aq pacientë që përdornin medikamente të tjera, zbuloi se rreziku i zhvillimit të NAION ishte më shumë se dyfishuar pas dy vitesh trajtimi me një ilaç GLP-1, krahasuar me barnat e kategorive të tjera.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se, pavarësisht paralajmërimit të ri, përfitimet e këtyre medikamenteve në uljen e peshës, kontrollin e diabetit dhe përmirësimin e shëndetit kardiovaskular e të veshkave mbeten të rëndësishme.