Shkolla në Itali, Irlandë dhe Britani evakuohen pas kërcënimeve të rreme për bomba, në shënjestër edhe Meloni

Mbi 300 shkolla në të gjithë Italinë u evakuuan të mërkurën pas marrjes së emaileve me kërcënime për bomba. Në mesazhe pretendohej gjithashtu se një mjet shpërthyes ishte vendosur në automjetin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Kryeministrja deklaroi se nuk kishte asnjë rrezik konkret dhe njoftoi mbajtjen e një mbledhjeje qeveritare për të diskutuar situatën.

“Nga verifikimet e kryera deri më tani, nuk ka rezultuar asnjë element që të tregojë ekzistencën e një rreziku konkret”, shkroi Meloni në Facebook.

Sipas saj, kërcënimet duket se lidhen me një strategji që synon të shkaktojë panik dhe shqetësim, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Mediat italiane raportuan se kërcënime kishin marrë 312 shkolla. Ndërsa ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, konfirmoi se në të gjithë vendin ishin regjistruar rreth 300 alarme, duke theksuar se bëhet fjalë për një strategji të organizuar.

Në emailet kërcënuese shkruhej: “Kemi ardhur për t’ju shkatërruar. Do të kryejmë gjenocid ndaj italianëve”. Mesazhet pretendonin se në çdo ndërtesë ishte vendosur një sasi e madhe eksplozivi, e pajisur me një mekanizëm shpërthimi në distancë.

“Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministres suaj”, thuhej më tej në mesazhe, të cilat ishin firmosur me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilayat of Misoginistan”.

I njëjti emër ishte përdorur edhe në kërcënimet me bomba të dërguara gjatë javës së kaluar në disa media në Irlandë dhe Bullgari. Alarme të ngjashme, të cilat rezultuan të rreme, u raportuan të mërkurën edhe në shkolla në Britani dhe Irlandë, duke shkaktuar evakuime në disa prej tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se do të raportojë në parlament për incidentin dhe çështjet më të gjera të sigurisë.

“Sipas meje, bëhet fjalë për një strategji tashmë të qartë, që synon të përhapë terror dhe të krijojë shqetësim. Sot, kushdo mund të dërgojë një email në një shkollë, çerdhe apo kompani ajrore, duke pretenduar se është vendosur një bombë”, u shpreh ai.

“Dëme dhe kaos në shkallë të gjerë”

Antonello Giannelli, president i shoqatës së drejtuesve të shkollave italiane ANP, i cilësoi kërcënimet si qartësisht të rreme.

Megjithatë, ai paralajmëroi se papërgjegjshmëria, e kombinuar me fuqinë e jashtëzakonshme të komunikimit që ofrojnë teknologjitë e sotme, mund të shkaktojë dëme dhe kaos në shkallë të gjerë.

Giannelli kërkoi që autoritetet të zbardhin sa më shpejt origjinën e kërcënimeve dhe të identifikojnë përgjegjësit.

Incidentet vijnë pas një serie alarmesh të rreme për bomba në fluturimet ajrore në disa vende të Europës gjatë javëve të fundit. Në të njëjtën periudhë janë raportuar edhe sulme kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes së supermarketeve në disa vende europiane, përfshirë Italinë.

Ndërkohë, të shtunën, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se ishte vënë në shënjestër të kriminelëve kibernetikë, të cilët kishin shpërndarë të dhënat e tij personale në internet, për shkak të mbështetjes së Italisë ndaj Ukrainës.

Këto incidente kanë shtuar shqetësimet për kërcënimet e luftës hibride në Europë.