Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris ku dnër të tjera u pyet edhe për protestat që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Sipas Ramës, sfondi i protestave është komplekse dhe pas tyre qëndrojnë ato që ai i konsideron “duart e huaja”.
Madje sipas tij, janë disa faktorë që fshihen pas këtyre protestave, duke nisur nga ndikimi i Iranit, ANTIFA, grupet kriminale dhe opozita.
“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar.
Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri përmes masave të marra do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, tha mes të tjerash Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë tha se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte ai që nxiti zemërimin e qytetarëve, duke e quajtur si “flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë”.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s’ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.