Aksidentoi për vdekje 2 fëmijë në Durrës, lehtësohet akuza ndaj Nikollë Radaçit

Ka nisur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës procesi gjyqësor ndaj Nikollë Radaçit, 57-vjeçarit që më 3 maj të këtij viti shkaktoi aksidentin e rëndë në lagjen nr. 15, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një tjetër.

Seanca e parë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati vetëm pak minuta. Gjatë saj, avokati mbrojtës kërkoi që çështja të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Radaçi akuzohet tashmë vetëm për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, pasi dy nga akuzat që rëndonin fillimisht ndaj tij, drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe largimi nga vendi i aksidentit, janë shuar në bazë të amnistisë së miratuar pak kohë më parë.

Gjatë hetimeve, ndaj Radaçit rëndonin tri akuza, por pas ndryshimeve nga amnistia, prokuroria e ka dërguar atë për gjykim vetëm për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.

Nga ana tjetër, babai i fëmijës që mbeti i plagosur ka kundërshtuar lehtësimin e akuzave ndaj 57-vjeçarit, duke e cilësuar atë si një padrejtësi.

Aksidenti ndodhi më 3 maj, në zonën e Kënetës në Durrës. Radaçi humbi kontrollin e makinës, dhe për pasojë doli nga rruga duke përplasur tre fëmijët që ndodheshin në trotuar.

Për shkak të plagëve të marra, humbën jetën 12-vjeçari E.M dhe 9-vjeçari K.N, ndërsa fëmija i tretë mbeti i plagosur.