Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 48 të tjerë janë plagosur në disa përplasje masive të ndodhura në të dyja karrexhatat e një autostrade në juglindje të Bullgarisë, njoftuan autoritetet të martën.
“Deri në këtë moment, bilanci është 11 viktima dhe 48 të plagosur”, deklaroi kryeministri Rumen Radev për gazetarët.
Aksidentet ndodhën mëngjesin e së martës, pranë qytetit të Jambollit, në autostradën Trakia, e cila lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit, në Detin e Zi. Në aksident u përfshinë më shumë se 50 automjete, përfshirë makina dhe mjete të tonazhit të rëndë.
Pamjet e publikuara me dron nga televizioni bullgar Nova tregojnë një aksident masiv në kushtet e mjegullës së dendur, ku kamionë, furgonë dhe automjete të tjera kanë mbetur të bllokuara njëra pas tjetrës në të gjithë gjerësinë e rrugës.
Mjetet zjarrfikëse dhe ambulancat janë rreshtuar përgjatë autostradës, ndërsa ekipet e emergjencës, të pajisura me jelekë fosforeshentë, lëvizin mes automjeteve të shkatërruara. Pamje më të afërta, të transmetuara pas një paralajmërimi për përmbajtje shqetësuese, tregojnë makina të shtypura rëndë mes kamionëve dhe mbeturina të shpërndara në të gjithë rrugën.
Telefonata e parë në shërbimet e emergjencës u regjistrua rreth orës 07:10 me orën lokale (06:10 CET). Sipas medias Novinite, faktori kryesor që shkaktoi aksidentin ishte mjegulla e dendur. Një dëshmitar okular tha se dukshmëria në rrugë ishte vetëm rreth 30 metra.
“Tmerri i vërtetë ishte brenda autobusit”
Të mbijetuarit kanë rrëfyer momentet e tmerrit, kur automjetet u përplasën njëra pas tjetrës.
Një drejtues automjeti, në një intervistë për televizionin Nova, tregoi se një kamion i kishte goditur nga pas.
“Ishte e tmerrshme! Kamioni i kuq na goditi nga prapa. E dëgjova që po afrohej dhe po frenonte fort. I thashë kolegut tim: ‘Mbaju fort, do të na përplasë!’”, rrëfeu ai.
“Na goditi dhe na përplasi me barrierën mbrojtëse. Ne goditëm një makinë tjetër dhe, brenda pak sekondash, ndërsa po përpiqeshim të dilnim nga automjeti, të gjitha makinat e tjera u përplasën me njëra-tjetrën”, shtoi ai.
Një grua, e cila udhëtonte me një autobus të përfshirë në aksident, i tha televizionit Nova se gruri kishte hyrë brenda mjetit përmes xhamave të thyer.
“Tmerri i vërtetë ishte brenda autobusit. Gruri binte mbi ne nga lart, përmes dritareve. Të gjithë xhamat ishin thyer, copat e xhamit binin gjithandej dhe ne kishim përfunduar njëri mbi tjetrin. Disa kishin rënë përtokë, të tjerë ishin plagosur, ndërsa disa persona kishin mbetur të bllokuar”, tregoi ajo.
Todor Mishinev, drejtues i policisë rrugore në Jamboll, deklaroi se ekipet e shpëtimit u detyruan të prisnin pjesë metalike të automjeteve për të nxjerrë personat e bllokuar, përfshirë edhe ata që ndodheshin në kamionët cisternë.
Të plagosurit u transportuan në spitalet e Jambollit dhe të qytetit të afërt të Slivenit. Disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, madje edhe në rrezik për jetën.
Ministrat drejt vendngjarjes, autostrada mbetet e bllokuar
Kryeministri Rumen Radev anuloi angazhimet e tij në Varna pas aksidentit, pak kohë pasi ishte takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Ivan Demerdzhiev, dërgoi në vendngjarje Lyubomir Nikolov, sekretarin e përgjithshëm në detyrë të ministrisë, si dhe zëvendësministrin e Brendshëm, Kaloyan Kaloyanov.
Edhe ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, ishte nisur drejt zonës dhe pritej të mbante një konferencë për shtyp në spitalin “Dr. Ivan Seliminski”, në Sliven, raportoi Novinite.
Autostrada është mbyllur në të dyja drejtimet, në segmentin mes nyjeve rrugore Zimnitsa dhe Kabile.
Agjencia e Infrastrukturës Rrugore në Bullgari njoftoi se bllokimi do të vijojë për një periudhë të pacaktuar, për shkak të përfshirjes së mjeteve të rënda dhe nevojës për kryerjen e hetimeve.
Rrugët e Bullgarisë renditen ndër më të rrezikshmet në Bashkimin Evropian.