Producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea ka qëndruar rreth dy orë e gjysmë në ambientet e SPAK, ku ai është thirrur nga prokurorët e posaçëm në kuadër të hetimeve për çështjen “Veliaj”.
Mësohet se Gjebrea, ka dhënë shpjegime lidhur me financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka marrë nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”.
Burime për mediat bëjnë me dije se pyetjet ndaj producentit janë përqendruar te pagesat e përfituara nga institucioni i drejtuar në atë kohë nga Erion Veliaj.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Gjebrea u pyet nga gazetarët për arsyet e thirrjes, por ai nuk dha shumë detaje.
“Isha në cilësinë e dëshmitarit për një çështje që është sekret hetimor. Nuk flas dot më shumë, më duhet të respektoj institucionet. Isha si person në dijeni”- u shpreh Gjebrea, teksa bëri edhe batuta me gazetarët.
“Ishin miqësorë. Edhe unë i ftova në programin tim. Meqenëse ‘E diela shqiptare’ ka një rubrikë njerëzore, pse jo. Më ftuan, i ftova. U solla pak si amator”, tha më tej Gjebrea.