Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin ndihmën financiare dhe ushtarake për Izraelin në fund të këtij viti, duke argumentuar se vendi nuk ka më nevojë për këtë mbështetje.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Izraeli merr rreth 4 miliardë dollarë ndihmë nga SHBA-ja, por sipas tij, nuk ka më arsye që kjo mbështetje të vazhdojë.
“Ne u japim më shumë se kujtdo tjetër dhe ata nuk kanë më nevojë për të”, deklaroi Trump, duke shtuar se ka diskutuar këtë çështje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
SHBA-ja aktualisht i jep Izraelit 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit, në bazë të një marrëveshjeje 10-vjeçare të nënshkruar në vitin 2018, e cila përfundon në vitin 2028.
Deklarata e Trump përbën një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj Izraelit dhe vjen në një kohë kur mbështetja për këtë vend është kthyer në çështje të debatueshme në politikën e brendshme amerikane.
Ndërkohë, disa ish-zyrtarë amerikanë kanë shprehur dyshime nëse administrata Trump do ta zbatojë realisht këtë vendim, veçanërisht në kushtet e tensioneve dhe mundësisë së një përshkallëzimi të ri ushtarak me Iranin.
Vendimi është kritikuar edhe brenda Izraelit. Rivali politik i Netanyahut, Gadi Eisenkot, e cilësoi situatën si dëshmi të dobësimit të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në, duke fajësuar kryeministrin për mënyrën se si po menaxhon raportet me Uashingtonin.
Nga ana tjetër, Netanyahu kishte deklaruar më herët se Izraeli duhet të përgatitet për t’i dhënë fund varësisë nga ndihma ushtarake amerikane, megjithëse jo në një afat kaq të shkurtër.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të plota për mënyrën se si do të realizohet ndërprerja e ndihmës dhe nëse bëhet fjalë për një vendim përfundimtar të administratës amerikane.