Veliaj letër GJKKO-së: Jam rrëmbyer nga paraburgimi i Durrësit me urdhër të Ramës! Gjykata: Nuk është në kompetencën tonë

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shtyrë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatit të një prej të pandehurve në dosje. Seanca e radhës ndaj Veliajt do të zhvillohet më 17 nëntor, ora 10:00.

Gjatë seancës së kësaj të marte, gjykata lexoi edhe një letër të dërguar nga Veliaj, ku thotë se është transferuar nga paraburgimi i Durrësit te ai i Fierit me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

“Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një “togë” shoqërimi pa m’u treguar urdhri, shkaku pse po lëvizja, ku po shkoja dhe si justifikohet largimi me 100 km të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me 2 të mitur e nënën pensioniste, dhe një Bashkie të Tiranës që drejtoj.

Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë z. Gogu më bëri të qartë në IEVP Fier se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; ‘që të bëj burg tamam’ dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bëheshin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve, përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nasta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si ndërhyrja e Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave. Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë”, shkruan Veliaj.

Nga ana tjetër, gjykata relatoi se institucionet e burgjeve nuk e kishin vënë në dijeni për transferimin e Veliajt drejt Fierit.

Për pretendimin e tij se transferimi është urdhëruar nga kryeministri, gjykata sqaroi se kjo çështje nuk është objekt i procesit dhe i sugjeroi Veliajt të ndjekë rrugën institucionale.

“Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona sa u takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Të ndjekë rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij”, tha trupi gjykues.