Pavarësisht kohës me shi, studentët kanë dalë sërish në protestë këtë të martë, teksa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë nisur mëngjesin e sotëm marshimin në disa prej fakulteteve duke ju bërë thirrje të rinjve që të bashkohen me ta.
Janë një numër i lartë studentësh që kanë bojkotuar mësimin për t’u bashkuar protestës, që sot ndodhet në ditën e 22-të.
Me herët, studentët ironizuan kryeministrin Edi Rama në lidhje me kërkesën e tij për dialog, ndërsa ata i kërkojnë dorëheqjen.
Mbi disa karrige tek Universiteti Politeknik, studentët kanë vendosur disa fotografi të dhunës policore ndaj të rinjve, krahas së cilave kanë vendosur edhe disa letra në të cilat është shkruar: ”Diktator”.
Ky veprim është përdorur nga studentët si një mesazh simbolik në përgjigje të ftesës së Ramës për dialog, ndërsa ata vijojnë të këmbëngulin te kërkesa për largimin e tij nga detyra e kryeministrit.