Ashtu sic kryeministri e paralajmëroi para disa ditëve, Policia e Shtetit ka nisur gjobitjen e qytetarëve që marrin pjesë në protestë.
Në njoftimi e fundit, Policia thotë se përveç shoqërimit të protestuesve, janë gobitur edhe me 50 mijë lekë të vjetra. Sipas Policisë, protestuesit bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve.
“Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë”- njofton policia.
Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan “gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore”.
Kujtojmë se Rama prezantoi më 25 tetor një paketë ligjore që parashikon gjoba deri në rreth 5.500 euro për personat që qëndrojnë në tubime të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë, edhe nëse nuk kryejnë vetë akte dhune.