Ebola përhapet me ritme rekord në Afrikë, mbi 5,300 viktima dhe 10 mijë të infektuar

Shpërthimi i fundit i Ebolës në Afrikë ka shkaktuar afro 5,400 viktima, shumica dërrmuese në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar 10 mijë. Sipas Agjencisë së Shëndetit Publik të Afrikës, epidemia është përhapur edhe në Kenia, Ugandë dhe Nigeri.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) konfirmuan të hënën për agjencinë e lajmeve AFP se numri i viktimave ka arritur në 5,376. Prej tyre, 5,372 janë regjistruar në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa nga dy viktima në Kenia dhe Ugandë.

Epidemia nisi në muajin maj në Republikën Demokratike të Kongos dhe, sipas të dhënave të fundit të autoriteteve shëndetësore të vendit, të datës 31 tetor, ka prekur më shumë se 10 mijë persona. Shkalla e vdekshmërisë raportohet të jetë mbi 50%, duke e bërë këtë një nga shpërthimet më të përhapura dhe me rritjen më të shpejtë të Ebolës të regjistruara deri më tani.

Në Ugandën fqinje u konfirmuan 20 raste, pothuajse të gjitha te persona që kishin udhëtuar nga Republika Demokratike e Kongos. Në gusht, vendi u shpall i çliruar nga Ebola.

Ndërkohë, në tetor, Kenia regjistroi nëntë raste infektimi, duke shënuar herën e parë që vendi përballet me një rast të konfirmuar të Ebolës.

Po në të njëjtin muaj, edhe Nigeria, vendi më i populluar i Afrikës, raportoi një rast infektimi. Bëhej fjalë për një shtetase zvicerane 42-vjeçare, bashkëshorti i së cilës punon në ambasadën e vendit të tij në Abuja. Çifti kishte udhëtuar më parë drejt Ugandës, përpara se të kthehej në vendin e banimit.

Shpërthimi aktual është shkaktuar nga virusi i rrallë Bundibugyo, për të cilin nuk ekziston ende një vaksinë apo trajtim i miratuar. Virusi transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar dhe mund të shkaktojë ethe hemorragjike.

Ndërkohë, gjatë javëve të fundit kanë nisur provat klinike të vaksinës Ervebo, e cila ka rezultuar efektive kundër variantit më të përhapur të virusit Ebola, të njohur si shtami Zaire.