Mesazhi i Ramës për Veliajn, Toni Gogu pranon takimin me kryebashkiakun në burgun e Fierit

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit se ai është takuar më kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në paraburgimin e Fierit, teksa i ka përcjellë edhe mesazhin e kryeministrit, Edi Rama.

Edhe pse avokati i Veliajt, Plarent Ndreca konfirmoi se Gogu ka takuar Veliajn për ti dhënë mesazhin e Ramës, ministri në postimin e tij e mohon.

Gogu thotë se vizita është zhvilluar në kuadër të detyrës së tij si ministër, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar shqetësimet e ngritura publikisht nga avokati i tij.

Sipas Ndrecës, Toni Gogu i ka përcjellë mesazhin e Ramës se nëse nuk dorëhiqet nga posti i tij, do të kalbet në burg.

Reagimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu:

Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.