Erion Veliaj transferohet nga burgu i Durrësit në atë të Fierit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij të Fierit. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet që kanë çuar në këtë vendim.

Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua, është aktualisht në procesin e gjykimit në themel të çështjes penale ndaj tij.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzon Veliajn për 13 vepra penale, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg.

Transferimi nga Durrësi në Fier vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës vijon në gjykatë.