Belinda Balluku paraqitet sërish në SPAK, i komunikohet përfundimi i hetimeve

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku mësohet se i është komunikuar përfundimi i hetimeve ndaj saj. Ajo ka mbërritur në institucion e shoqëruar nga avokati i saj mbrojtës, Ardian Kalia.

Balluku është marrë e pandehur për disa vepra penale, që lidhen me procedurat e prokurimit publik, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas akuzave, ish-zyrtarja dyshohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim dhe në nëntë raste. Po ashtu, ndaj saj rëndojnë akuza për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë.

Hetimet përfshijnë gjithashtu dyshime për mosdeklarim, fshehje apo deklarim të rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në rrethana cilësuese dhe në bashkëpunim.

Tashmë pritet që dosja të kalojë në Gjykatën e Posaçme, ku fillimisht do të kalojë në seancën paraprake, dhe më pas do të nisë gjyqi ndaj ish-zv.kryeministres dhe të pandehurve të tjerë.