95 milionë euro për t’u kuruar në spitalet private në vitin 2024

Të dhënat zyrtare të bilanceve të katër spitaleve private, “American Hospital” (përfshirë “International Hospital”), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 9.5 miliardë lekë, me rënie prej 4.5% në raport me vitin e mëparshëm.

Spitalet private i rritën të ardhurat me shpejtësi, të paktën që nga viti 2017, për të kulmuar në vitin 2021, kur pandemia rëndoi dukshëm shëndetin e popullatës duke rritur vdekshmërinë shtesë.

Pasi arriti kulmin në vitin 2021, tregu duket se është maturuar dhe ka nisur rënien për spitalet e mëdha, ndërsa të vegjlit vijojnë ende zgjerimin.

Në vitin 2024, vdekjet u rritën me 3.2% në krahasim me vitin e mëparshëm, por mbeten 27.5% më të ulëta sesa në 2021, kur kulmuan në 30.5 mijë, për shkak të pasojave të pandemisë.

Rënia e vdekshmërisë dhe përfundimi i ciklit të virusit ka ulur ndjeshëm aktivitetin e spitaleve private dhe sidomos të klinikave mjekësore, që panë rritje të fortë nga analizat.

Në të kundërt, pasojat afatgjata të COVID-19 dhe plakja graduale e popullsisë po mbajnë të lartë konsumin e medikamenteve.

Një tjetër faktor që po ndikon negativisht vlerësohet dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve, që ka ulur punën në klinikat obstetrike të vendit.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2024 u regjistruan 23.3 mijë lindje, niveli më i ulët i gjithë tranzicionit.

Në raport me një dekadë më parë, lindjet janë tkurrur ndjeshëm me 53%.

Spitalet private, bien të mëdhenjtë, shpresa te zgjerimi i tregut përtej kufijve

Për të tretin vit radhazi, spitalet e mëdha private raportuan stanjacion ose rënie të të ardhurave.

Tendenca lidhet me nivelin e lartë që arritën në vitin 2021, kur si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private.

Paaftësia paguese e popullatës është një tjetër arsye që japin spitalet për tkurrjen e aktivitetit të tyre.

Sipas operatorëve, faktorët kryesorë që ndikojnë në kërkesën për shërbime shëndetësore private janë aftësia e ulët paguese e popullatës, teksa shërbimet private kanë çmime të shtrenjta. Rënia e lindjeve është një tjetër faktor që ka ulur fluksin e këtij shërbimi në privat.

Edhe emigracioni ka larguar shtresën e mesme që mund të kishte aftësi paguese për t’iu drejtuar privatit.

Në kahun tjetër, cilësia e shërbimeve në sistemin shëndetësor publik është një faktor që nxit fluksin në privat, si rrjedhojë e pritjeve të gjata dhe procedurave të miratimit dhe kryerjes së ekzaminimeve të rëndësishme, sipas operatorëve privatë.

Zgjerimi i tregut përtej kufijve është një potencial që shohin operatorët. “Shqipëria është një vend kandidat për në BE, me një rrugë të qartë drejt integrimit në BE.

Si e tillë, ajo po kalon reforma të shumta ekonomike që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës duke përfshirë zgjerimin e mbulimit të kujdesit shëndetësor.

Sektori shëndetësor është një zonë me mundësi në rritje për investitorët spitalorë, veçanërisht ata që kërkojnë të synojnë pacientë ndërkombëtarë nga tregjet e afërta europiane si Italia, Greqia dhe Ballkani.

Shumë pacientë të huaj tashmë po udhëtojnë drejt Shqipërisë për shërbime shëndetësore cilësore me kosto më të ulëta dhe kjo prirje pritet të vazhdojë të rritet me përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor privat”, thuhet në raportin e aktivitetit të “Spitalit Amerikan”, më të madhit në vend.

“Spitali Amerikan” (American Hospital) është më i madhi në vend duke dominuar në këtë segment, teksa të ardhurat e tij janë rreth 10 herë më të larta se i dyti në listë. Në vitin 2024 qarkulloi 5.6 miliardë lekë, me rritje 3.2 me bazë vjetore.

Ky ishte viti i parë i bashkimit me “International Hospital” (ish-Hygeia), të cilin e përthithi në fund të vitit 2023, teksa e kishte në pronësi prej shtatë vitesh, me synim rritjen e sinergjive, optimizimin e burimeve njerëzore dhe materiale dhe rritjen e bashkëpunimit mes spitaleve të grupit.

“Bashkimi u ndërmor për të rritur efikasitetin operacional duke riorganizuar funksionet administrative dhe duke reduktuar tepricat.

Ai synon të arrijë kursime të kostos përmes shpërndarjes së optimizuar të burimeve, ndërkohë që përmirëson kujdesin ndaj pacientit duke përmirësuar cilësinë dhe shtrirjen e shërbimeve të ofruara.

Për më tepër, duke përdorur ekonomitë e shkallës, një njësi e kombinuar pozicionohet të përmirësojë performancën e përgjithshme financiare dhe sinergjitë operacionale”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Dy spitalet kanë filluar të operojnë si një i vetëm nga shtatori 2024. Nëse bashkimi me “International Hospital” sh.a. do të kishte përfunduar në ditën e parë të vitit financiar, të ardhurat e Shoqërisë për vitin 2024 do të ishin 7.6 miliardë lekë, sipas raportit të aktivitetit (një vit më parë, qarkullimi vjetor i dy spitaleve së bashku ishte 8.3 miliardë lekë).

Nga bashkimi i dy filialeve, numri i të punësuarve i “Spitalit Amerikan” u rrit me 20%, duke arritur në 1636 punonjës.

Në vitin 2023, viti i fundit i operimit më vete, “International Hospital” (ish-Hygeia) kishte raportuar 2.9 miliardë lekë të ardhura.

“International Hospital” ka kontribuar me 17.2 miliardë lekë të ardhura dhe 18.5 milionë lekë fitime për periudhën ndërmjet datës së blerjes (në 2018-n) dhe datës së raportimit, sipas raportit të aktivitetit.

Sipas raportit të aktivitetit, “American Hospital” do të fokusohet edhe në zgjerimin e aktivitetit të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe zhvillimin e Turizmit Mjekësor, duke rritur edhe më tej kapacitetet e shërbimit.

“Me rëndësi të veçantë për strukturën tonë spitalore është investimi i vazhdueshëm në infrastrukturën tonë, si për rritjen e kapaciteteve dhe pritjen e një numri më të lartë pacientësh, por gjithashtu dhe për ofrimin e kushteve më të mira të ambienteve të qëndrimit, poliklinikave e pavijoneve”.

Në vitin 2024 janë kryer afërsisht 10 mijë ndërhyrje kirurgjikale, 3 mijë trajtime mjekësore, 98 mijë numër seancash dialize.

Spitalet e tjera nuk renditen në listën e 200 më të mëdhave. Të dhënat zyrtare të bilanceve të katër spitaleve private, “American Hospital” (përfshirë “International Hospital”), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 9.5 miliardë lekë, me rënie prej 4.5% në raport me vitin e mëparshëm.

Në tre vitet e fundit, ecuria e aktivitetit është ngadalësuar ndjeshëm. Në vitin 2021, rritja e të ardhurave ishte 25.5%, më e larta e regjistruar vitet e fundit. Në 2020-n, kur pandemia u forcua në muajt e fundit të vitit, zgjerimi vjetor i të ardhurave ishte 10.7%.

“German Hospital International” kishte xhiro prej 673 milionë lekësh, me rritje 25% duke u ngjitur për herë të parë në spitalin e dytë më të madh në vend.

Spitali “Salus” raportoi 647 milionë lekë të ardhura, me rënie 2.3%, duke zbritur në vendin e tretë.

“Spitali Europian” u rrit me ritme pak më të përshpejtuara prej 19% duke arritur një qarkullim vjetor prej 560 milionë lekësh.

Farmaceutika nuk e ndien krizën

Barra e sëmundjeve në vend vijon të rritet, e ndikuar nga plakja graduale e popullsisë, apo dhe pasojat afatgjata që la Covid.

Pas Censit të popullsisë, që u zhvillua në vitin 2023 nga INSTAT, rezultoi që mosha mediane (që ndan popullsinë përgjysmë) ishte rritur me shpejtësi, e ndikuar si nga emigracioni i të rinjve, ashtu dhe rënia e lindjeve, duke arritur në 44.3 vjeç në 1 janar 2025, që do të thotë se gjysma e popullsisë është mbi këtë moshë.

Ky nivel është pothuajse i njëjtë sa mesatarja e Bashkimit Europian, prej 44.7 vjeç, sipas të dhënave të Eurostat.

Importet e produkteve farmaceutike u rritën me 5% në vitin 2024 duke arritur në 28.2 miliardë lekë. 2021-i vijon të jetë viti me rekordin e importeve, i ndikuar si nga pandemia, ashtu edhe hyrja e vaksinave që u përdorën kundër Covid-19.

Edhe të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se indekset e vlerës së produkteve farmaceutike po shënojnë rritje të fortë vit pas viti.

Disa operatorë të tregtimit me shumicë të produkteve farmaceutike kanë raportuar rritje në vitin 2024.

“Rejsi Farma” raportoi të ardhura prej rreth 5.1 miliardë lekësh në 2024-n, me rritje 2%. Sipas raportit të aktivitetit, kjo performancë tregon për një situatë të konsoliduar financiare dhe ekonomike të shoqërisë.

“Për të ruajtur performancën e arritur deri tani dhe për të zgjeruar më tej aktivitetin, shoqëria ka zgjeruar gamën e veprimtarisë së saj në fushën e tregtisë me pakicë për të cilën kemi filluar ndërtimin e një godine të re, e cila do të shërbejë si supermarket me pakicë, si dhe magazinë me pikë shumice”.

“Delta Pharma” u zgjerua me 4.6%, në 5 miliardë lekë. Lindita Tema, CFO, tregon se si me një strukturë të dedikuar dhe një investim që ka arritur në 7 milionë euro, Delta Pharma po përditëson dhe përmirëson kapacitetet e saj në tregun e Kosovës, që është edhe vendi i parë ku kompania ka eksportuar modelin e saj të menaxhimit.

Burimet zyrtare pohojnë se në procesin e rritjes, një rol të veçantë ka pasur mbështetja e partnerëve strategjikë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e hallkës që ka afruar Delta Pharma-n me pacientët, rrjetin farmaceutik “Ditë e Natë”.

“Trimed” u zgjerua me 6.3%, në 4 miliardë lekë. “Që të sigurojë vijimësinë dhe rritjen e biznesit, shoqëria ka ndërmarrë një sërë masash duke siguruar dhe disponueshmërinë e produkteve të saj në treg, si dhe duke shtuar gamën e produkteve”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Alfarmakos” qarkulloi 3.5 miliardë lekë, në 2024-n, me një zgjerim prej 7.3%. Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria ka aktualisht një numër të konsiderueshëm klientësh, të shpërndarë në të gjithë territorin shqiptar. Monitor