Në ditën e shënuar të Mësuesit, kur nderojmë punën dhe kontributin mësuesve në formimin e brezave të rinj, Qëndresa Qytetare shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për diskriminimin që po u bëhet 6500 mësuesve të arsimit fillor në Shqipëri si pasojë e vendimit të fundit të qeverisë, i cili ndryshon strukturën dhe nivelet e pagave të punonjësve të sistemit parauniversitar.
Ky vendim ka sjellë pasoja të rënda, veçanërisht për mësuesit e arsimit fillor, të cilët janë diplomuar në ish-institutet e rretheve, dhe që nuk i njihet diploma si studim i plotë për mësuesi, por vetëm si cikli i parë Bachelor. Ky trajtim është një shkelje e hapur e të drejtave të punonjësve të arsimit dhe një vlerësim i padrejtë i kontributit të tyre.
Përveç kësaj, vendimi ka sjellë një ulje të konsiderueshme të pagave për një kategori të caktuar mësuesish, duke krijuar një diferencim të padrejtë në trajtimin financiar të mësuesve me të njëjtën përvojë dhe të njëjtin nivel arsimor. Ky veprim bie ndesh me parimin e barazisë dhe nuk merr parasysh kontekstin e kohës kur këto diploma janë marrë, duke sjellë një ndryshim retrospektiv të interpretimit të kualifikimeve, i cili i penalizon financiarisht mësuesit.
Mësuesit e arsimit fillor, shumë prej të cilëve punojnë në zona të thella malore, ku angazhimi dhe përpjekjet për të arritur tek nxënësit janë jashtëzakonisht të mëdha, po shihen të përballem me një trajtim të pabarabartë dhe të padrejtë. Ulja e pagave dhe mungesa e një programi konkret që mundëson përmbushjen e kërkesave të reja të kualifikimit, i lë ata pa mundësi për zhvillim profesional dhe rritje të nivelit të tyre akademik.
Kjo situatë është një goditje për dinjitetin e mësuesve, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për edukimin dhe formimin e brezave të rinj të vendit. Qëndresa Qytetare kërkon një vlerësim të drejtë dhe të barabartë të kualifikimeve të të gjithë mësuesve, pa diskriminim, dhe apelon që qeveria të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të rregulluar këtë padrejtësi dhe për të ndihmuar mësuesit që të kenë mundësi për zhvillim të mëtejshëm profesional dhe akademik.
Në këtë Ditë të Mësuesit, Qëndresa Qytetare bëhet sërish zëri i mësuesve dhe angazhohet se do të vazhdojë betejën e saj për t’i rikthyer atyre dinjitetin dhe autoritetin që meritojnë, duke kundërshtuar çdo formë diskriminimi dhe shfrytëzimi të padrejtë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të mësuesve të arsimit fillor, për t’u siguruar që ata të trajtohen me respektin dhe dinjitetin që kanë merituar për të gjithë kontributin e tyre në ndërtimin e shoqërisë.