5 ditë pa ujë, Rama “merr me të mira” vlonjatët: Plasi syri i keq

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas 5 ditësh, teksa qyteti i Vlorës ka mbetur pa ujë, duke sjell edhe revoltën e qytetarëve.

Në një postim në X, Rama thotë sot do të vijnë nga Stambolli pjesët hidraulike për të riparuar defektin në ujësjellësin e Vlorës. Në reagim, kryeministri thotë se pjesët hidraulike aktuale janë instaluar në vitin 2009-2010 dhe janë jashtë standardeve.

Ndërkohë kreu i qeverisë u ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës, për atë që ai e quan peripeci ndërsa e mbyll reagimin e tij se “kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”.

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer… Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën 

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”- shkruan Rama në reagimin e tij.